Vazhduan disa fluturime mbi Evropë

Lajme

Vazhduan disa fluturime mbi Evropë

Më: 18 prill 2010 Në ora: 12:27

Disa linja ajrore i kanë vazhduar sot fluturimet mbi Evropën veriore, pas disa ditë bllokade për shkak të resë së hirit vullkanik nga Islanda.

Megjithate, u lejuan vetëm fluturime të kufizuara dhe shumica e qiejve të Britanisë mbetën të mbyllur.

Ekspertët thanë se vullkani në Islandë vazhdon të jetë aktiv, por sasia e llavës dhe hirit është më e vogël se më parë.

Sidoqoftë, kontrollorët e trafikut ajror në Britani thanë se një tjetër re e hirit nga erupcionet e mëparshme po shkon drejt linjave kryesore të fluturimit.

Miliona udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në mbarë Evropën, ndërsa industria e aviacionit civil tha se mbylljet u shkaktojnë kompanive humbje prej 200 milionë dollarë në ditë.

Organizata Botërore e Meteorologjisë tha sot se reja e hirit vullkanik nga Islanda mund të ndërrojë drejtimin dhe të shkojë kah Arktiku kur të ndryshojnë kushtet klimatike nga fundi i javës.

* * * * * *

Autoritetet gjermane të aviacionit i dhanë leje 50 aeroplanëve transoqeanikë të kompanisë ajrore Lufthansa të udhëtonin nga Azia Lindore, Afrika dhe Shtetet e Bashkuara me rreth një mijë e pesëqind pasagjerë.

Lufthansa thotë se fluturimet do të ulen në Duseldorf, Frankfurt dhe Mynih nesër. Një zëdhënës i kompanisë i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se aeroplanët do të fluturojnë nën rregullat e ashtëquajtura të fluturimit vizual. Vendimi për të reduktuar ndërprerjet vjen ndërkohë që industria ajrore po bën presion për rifillimin e fluturimeve të bllokuara javën e kaluar pasi një re e madhe hiri vullkanik mbuloi hapësirën ajrore evropiane.

Kreu i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror Xhiovani Bisinjani tha sot se ndikimi ekonomik global i ndërprerjeve të fluturimeve në industrinë ajrore është më i madh seç ishte pas sulmeve terroriste të 11 shatorit në Shtetet e Bashkuara, kur hapësira ajrore amerikane u mbyll për tre ditë me radhë.

* * * * * *

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian arritën marrëveshjen për të zvogëluar kufizimet në fluturime në hapësirën ajrore evropiane.

Eurokomisioneri për Transportin, Sim Kallas, në Bruksel deklaroi se ujdia do të hyjë në fuqi mëngjesin e së martës. Franca njoftoi se gradualisht do të hapë aeroportet dhe do të krijojë një korridor ajror në Paris për të lehtësuar krizën e transportit.

Edhe hapësira ajrore britanike do të fillojë të hapet nga mëngjesi i ditës së nesërme. Për dallim nga Franca e Britania, Gjermania ka zgjatuar afatet e mbylljes së hapësirës së vetë ajrore.

Komisioni Evropian tha se mund të miratojë fonde të posaçme për të ndihmuar kompanitë ajrore, që të përballojnë humbjet e shkaktuara nga shpërthimi i vullkanit në Islandë.

* * * * * *

6.8 milion pasagjerë në mbarë botën jane prekur, me më shumë se 300 aeroporte në Evropë të mbyllura.

Shumë linja ajrore dhe aeroporte janë duke e humbur durimin gjithnjë e më shumë dhe kanë bërë thirrje për një shqyrtim urgjent të masave.

Pjesa më e madhe e hapësirës ajrore në Evropën veriore do të mbeten të mbyllura të hënën ndërsa shumica e tyre në Evropën Jugore do të rihapen.

Dje zyrtarët Evropian shprehen shpresën se deri gjysma e fluturimeve në Evropë mund të operojne të hënën.

Më shumë se 60 mijë fluturime janë anuluar në të gjithë Evropën që nga dita e enjte.

Por organizatat që përfaqësojnë linjat ajrore evropiane dhe aeroportet kanë vënë në dyshim nëse kufizimet në vend janë në përpjestim me rrezikun.

Pyetja nuk është nëse hiri vullkanik është i rrezikshëm për avionë - kjo tashmë është dëshmuar - por nëse përqëndrimi i tij në atmosferë është aq i lartë sa për të përbërë rrezik.

Ndërkohë një avion kërkimor nga Zyra Meteorologjike e Londrës ka gjetur nivele të rrezikshme të hirit, në një grup shtresash ajrore.

Përpjekjet janë në rritje e sipër për të gjetur mënyra alternative për të kthyer në shtëpi pasagjerët që janë penguar në udhetimet e tyre.

Spanja ka sugjeruar se aeroportet e saj mund të përdoren si një platformë per të hyrë në Evropë.

Pasagjerët nga vende si Britania e madhe jane bllokuar në Azi dhe Shtetet e Bashkuara do të fluturojnë në Spanjë dhe pastaj të vazhdojë udhëtimin e tyre me tren, anije ose autobus.

* * * * * *

Agjencia evropiane e kontrollit ajror thotë se rreth një e treta e fluturimeve në Evropë do të nisen siç janë parashikuar, duke e lehtësuar pak gjendjen e shkaktuar nga vullkani në Islandë.

Eurokontrol thotë se tetë deri në nëntë mijë fluturime do të vazhdojnë sipas orarit nga 28 mijë që ishin parashikuar për sot.

Më herët, presidenca e Bashkimit Evropian tha se shpresonte që të paktën gjysma e fluturimeve të ndiqnin itinerarin e planifikuar.

Ndërkohë, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit tha se nuk ishte e kënaqur me mungesën e udhëheqësisë nga qeveritë evropiane. Kreu ekzekutiv i këtij grupi tha se qeveritë duhet të përshpejtojnë rihapjen e hapësirave ajrore evropiane.

Ministrat evropianë të transportit zhvillojnë sot një takim përmes një video-konference për të diskutuar se kur mund të jenë hapësirat ajrore të sigurta për t’u hapur.

Britania, Gjermania, Franca dhe Hollanda thonë se hapësirat e tyre ajrore do të mbeten të mbyllura gjatë pjesës më të madhe të ditës së sotme. Spanja dhe Portugalia janë mes vendeve ende të hapura për aviacionin civil.

Në zhvillime të tjera, kryeministri britanik Gordon Braun tha se Britania do të dërgojë anijet e marinës mbretërore për të transportuar udhëtarët e bllokuar. Zoti Braun tha gjithashtu se po diskuton me qeverinë e Spanjës për të përdorur aeroportet spanjolle si pikë tranziti për britanikët që duan të udhëtojnë për në vendin e tyre.

Gjithashtu, një zyrtar i lartë amerikan tha se copa xhami janë gjetur në motorin e një aeroplani luftarak të NATO-s në Evropë. Këto copëza me sa duket ishin krijuar nga hiri vullkanik.

Kompanitë ajrore po i humbin nga 200 milionë dollarë në ditë, ndërsa dhjetëra mijëra pasagjerë po kërkojnë mënyra alternative të udhëtimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat