Presidenti Sejdiu uroi besimtarët me rastin e muajit të Ramazanit

Lajme

Presidenti Sejdiu uroi besimtarët me rastin e muajit të Ramazanit

Më: 10 gusht 2010 Në ora: 14:53

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu uroi besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Në urim thuhet:"Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, muajit më të rëndësishëm për besimtarët myslimanë, ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për agjërim të lehtë, harmoni, qetësi shpirtërore dhe begati në familjet tuaja.

Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës njerëzore, i përkushtimit ndaj Zotit dhe i vetëkontrollit. Uroj që jo vetëm ky muaj, por edhe të gjithë që vijnë pas tij, të kalojnë në paqe dhe në mirëkuptim midis të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Paqja dhe mirëkuptimi janë elemente shumë të rëndësishme, veçanërisht në periudhën vendimtare nëpër të cilën po kalon vendi ynë, pas mendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për pavarësinë e vendit tonë dhe kur presim shtimin e numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në sa më shumë institucione ndërkombëtare.

Po ashtu, uroj me këtë rast që paqja të mbretërojë kudo në botë, sepse Ramazani është muaj i dashurisë dhe mirëkuptimit mes njerëzve, pa dallim etnie, race e feje.

Me këtë rast, edhe një herë dua të shpreh falënderimet e mia më të thella dhe të popullit të Kosovës për të gjitha vendet mike të Republikës së Kosovës që e njohën dhe e përkrahën shtetin tonë të ri dhe po e përkrahin në vazhdimësi Kosovën dhe popullin e saj në të gjitha proceset e mëtejme" thuhet në telegramin e urimit të Presidentit Sejdiu.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat