Momenti i fundit për dialog

Lajme

Momenti i fundit për dialog

Më: 7 tetor 2010 Në ora: 15:57

Derisa Shqipëria dhe Bosnja janë në fazën e finalizimit të procesit për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian, Kosova ende nuk e ka nisur zyrtarisht këtë proces.

Parlamenti Evropian miratoi të enjten me shumicë votash rezolutën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës, duke ua hapur rrugën ministrave të Brendshëm të BE-së të marrin vendimin përfundimtar në muajin nëntor.

Njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë thonë se Bashkimi Evropian duhet që, sa më parë, të nisë dialogun zyrtar me Kosovën për heqjen e vizave dhe t’ua dorëzojnë institucioneve kosovare udhërrëfyesin zyrtar.

Ekspertja Venera Hajrullahu thotë se përderisa Kosova nuk posedon dokument zyrtar të BE-së për kushtet që kërkohen të përmbushen lidhur me heqjen e vizave, institucioneve kosovare do t’u mungojë lista e fushave ku kërkohet një punë më intensive.

“Ajo çka në këtë moment e afekton progresin, është mungesa e një dialogu formal të bazuar në dokumente zyrtare dhe sidomos vlerësimi i progresit i shoqëruar me udhëzime. Kjo është një praktikë, e cila është dëshmuar e suksesshme në të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe në këtë mënyrë, Kosova gjendet e disfavorizuar në raport me vendet e tjera të Ballkanit”, vlerëson Hajrullahu.

Në tetorin e vitit të kaluar në studimin për Kosovën, të cilin e publikoi Komisioni Evropian, u tha që Kosova duhet ta fillojë dialogun për heqjen e vizave me BE-në.

Në mungesë të dialogut dhe udhërrëfyesit zyrtar të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, institucionet kosovare kishin hartuar një udhërrëfyes unilateral të bazuar në udhërrëfyesit e vendeve të rajonit.

Autoritetet vendore shprehin bindjen se janë më të avancuar se të gjitha shtetet tjera, të cilat kanë qenë në fazën e para-marrjes së udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.

Eksperti për integrime, Shenoll Muharremi, vlerëson se është momenti i fundit kur BE-ja duhet t’i dorëzojë Prishtinës udhërrëfyesin zyrtar. Dokumenti unilateral i Kosovës, sipas tij, do t’i shërbejë vendit pozitivisht në hyrjen sa më të shpejtë të procesit për heqjen e vizave me BE-në.

“Kjo mund të na sjellë në një situatë ku Kosovës eventualisht mund t’i duhet më pak kohë se sa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që të hyjë në listë të bardhë të Shengenit”.

“Sido që të jetë, ndoshta është momenti i fundit që Komisioni Evropian të nisë këtë dialog zyrtar me Kosovën dhe t’ia japë një version zyrtar të udhërrëfyesit apo strategjisë me kritere Qeverisë së Kosovës”, thotë Muharremi.

Më 10 nëntor Komisioni Evropian pritet të publikojë të ashtuquajturën “Pako të zgjerimit”, ku përfshihen strategjitë për zgjerim dhe raportet e progresit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Muharremi nënvizon se ky moment duhet t’i shërbejë Komisionit Evropian për nisjen e dialogut zyrtar për liberalizim vizash me Kosovën dhe dorëzimin e udhërrëfyesit zyrtar.

“Unë mendoj se një momentum i rëndësishëm është muajin e ardhshëm, ku me të ashtuquajturën 'Pako të zgjerimit', Komisioni Evropian ka një mundësi shumë të mirë të dalë dhe të nisë këtë dialog me Kosovën dhe gjithashtu t’ia japë strategjinë”, thekson Muharremi.

Që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, qytetarët e Maqedonisë, ata të Serbisë dhe të Malit të Zi lëvizin pa viza në hapësirën Shengen. Ekspertja Hajrullahu thotë se heqja e regjimit të vizave edhe për Shqipërinë e Bosnjën do ta thellojë izolimin e Kosovës.

Sipas Hajrullahut, çdo vonesë e mëtejmë e Bashkimit Evropian në këtë drejtim krijon dyshime për lidhshmërinë e këtij procesi teknik me procesin politik të bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kjo vonesë kam frikë se lë po ashtu spekulime se udhërrëfyesi shtyhet për t’u bërë pjesë e iniciativave për Kosovën në kuadër të dialogut të paralajmëruar në mes të Kosovës e Serbisë. Kjo mendoj se është po aq negative dhe e papranueshme sa edhe vetë vonesa”, nënvizon Hajrullahu.(rel)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat