Sfidat e Isa Mustafës

Lajme

Sfidat e Isa Mustafës

Më: 11 nëntor 2010 Në ora: 11:16

Kreu i sapozgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një lidhje direkte për emisionin Top Show në Top Channel, foli për sfidat që e presin atë dhe partinë që ai kryeson që nga e diela që kaloi.

Mustafa tha se në një afat kohor rekord, prej 4 ditësh partia është konsoliduar dhe disa organe drejtuese të saj janë rinovuar me njerëz të rinj. Sipas tij sfidat vazhdojnë të mbesin të mëdha, por reformat e mëtjeshme brenda LDK-së kur edhe pak ditë mbesin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, më shumë do të dëmtonin partinë se sa do ta ndihmonin.

“Sfidat janë të shumta. Brenda katër ditëve është konsoliduar partia, është zgjedhur Këshilli Qendror, kryesia si ekzekutuese dhe po punojmë për listën sepse duhet ta dorëzojmë të enjten përshkak të afatit. Këtë muaj do merremi me organizimin për shkak të zgjedhjeve kombëtare dhe pas zgjedhjeve do të vazhdojmë reformat brenda LDK-së, të afrojmë të rinjtë brenda saj, ta shndërrojmë LDK-në në forcë qeverisëse”, nisi fjalën e tij Mustafa.

Më tej në lidhje me raportet dhe marrëdhëniet e tij me ish-kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu zoti Mustafa tha se ato vazhdojnë të jenë miqësore dhe në të njëjtën linjë si para zgjedhjeve në kuvendin e partisë.

Kryetari i LDK-së shtoi se nuk ka patur ambicie për të marrë kreun e partisë dhe se ka dashur gjithmonë të kontribuojë brenda saj si një anëtar, por situata e krijuar dhe rrethanat nëpër të cilat po kalonte partia e detyruan atë t’i përgjigjej thirrjes së kryesisë dhe të qytetarëve të Kosovës.

“Nuk kam patur ambicie të marr drejtimin e LDK-së kam qenë më shumë i interesuar të ndihmoj LDK-në si anëtar i saj. Në terren u krijua një situatë që më sfidoi mua dhe ishte përgjegjësia ime që edhe unë të pranoja kërkesën e kryesisë dhe të qytetarëve të Kosovës”, shtoi më tej Mustafa.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat