Drenica “i ndëshkon” deputetët e saj, nuk ka më vota për ju!

Lajme

Drenica “i ndëshkon” deputetët e saj, nuk ka më vota për ju!

Nga: Marie Nikolla – Bota sot Më: 12 janar 2011 Në ora: 18:00

Procesi i rivotimit të 9 janarit në dy komuna të Drenicës dhe në Deçan pos se ka “përmbysur” në një masë të madhe rezultatin e votimeve të 12 dhjetorit, ka përmbusur pothuaja krejtësisht edhe rezultatin e numrit të votave të fituara nga kandidatët e PDK-së që kanë garuar në këto dy komuna të Skenderajt. Këtë ndryshim të rezultatit e tregojnë disa të dhëna jo zyrtare të cilat tashmë kanë bërë të ditur se nga 13 kandidatët e PDK-së vetëm Hashim Thaçi e ka të sigurt kalimin “e pragut” të deputetit ndërkaq të tjerët duhet t presin rezultatin e rivotimit në Mitrovicë. Kështu ajo që merret vesh nga PZAP-i dhe KQZ-ja është se procesi i rivotimit në komunën e Skenderajt nuk ka kaluar pa ankesa, jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga kandidatët e PDK-së, të cilët ankohen se komisionerët janë ata që i kanë dëmtuar kandidatët nga Skenderaj, duke bërë që në komunën e tyre të mos marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet të Kuvendit të Kosovës.

Në fakt ishin ankesat e shumta jo vetëm të subjekteve politike por edhe të kandidatëve të këtyre subjekteve që quan në rivotim Skenderajn dhe Drenasin e Deçani dhe pjesërisht Malishevën e Lipjanin. Por, kandidatët e komunës së Skenderajt nga radhët e PDK-së janë ndarë keq nga rivotimi duke mos marrë votat që i kishin në komunën e tyre.

Sipas të dhënave të Komisionit Komunal Zgjedhor të Skenderajt pas rivotimit të nëntë janarit në këtë komunë del se asnjëri prej kandidatëve, përveç kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, nuk ka siguruar votat e mjaftueshme, e që duhet të jenë mbi dhjetë mijë, për tu bërë deputet. Por pasi që Kosova është një zonë zgjedhore, këta kandidatë kanë mbështetur shpresat se mund të jenë votuar në komunat tjera të Kosovës.

Si do që të jetë, të dhënat e Komisionit Komunal Zgjedhor të Skenderajt tregojnë se nga 13 kandidatët e PDK-së me numër më të madh të votave prinë Bekim Haxhiu-Kamishi me 8.100 vota i ndjekur nga Bedri Hamza me 6.600 vota, Abdyl Ymeri me 6.500, Blerta Deliu-Kodra me 6 mijë, Behar Selimi me 5.200, Ramadan Gashi me 4.300 vota, Gani Koci me 4.100, Valbona Dibra me 3.500, Ganimete Musliu me 3.200, Valbona Fazliu – Rreci me 2.550, Hidajete Beqiri me 2.500 dhe Murat Musliu me 1.500 vota.

Pra duke i pasur parasysh këto shifra shihet se Skenderaj ka rrezik që të ketë vetëm një deputetë e ai është Hashim Thaçi.

(Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Bota sot”)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat