Rama, homazhe viktimave të demonstratës

Shqipëria

Rama, homazhe viktimave të demonstratës

Më: 22 janar 2011 Në ora: 22:11

24 orë pas demonstratës që përfundoi në mënyrë tragjike, drejtues të Partisë Socialiste ishin në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, para selisë së Kryeministrisë, pikërisht në vendin ku ndodhen edhe vrasjet.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deputetë të kësaj partie, por edhe drejtues të partive të tjera opozitare, pjesë e koalicionin opozitar në Shqipëri, vendosën buqeta me lule në bulevard dhe trotuar në nderim të protestuesve që humbën jetën, tashmë të konfirmuar edhe zyrtarisht nga të shtënat e Gardës së Republikës. Politikanëve të opozitës iu bashkuan edhe qytetarët e Tiranës.

Përcillet në banesën e fundit Hekuran Deda

Gjatë ditës së shtunë është kryer ceremonia mortore e 39-vjeçarit nga Dibra me banim në fshatin Laknas, në Tiranë. Të afërm, miq dhe shokë kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të Hekuran Dedës, 39 vjeçarit që u vra me një plumb në kokë gjatë protestës së të premtes përpara Kryeministrisë.

Kortezhit të nisur nga banesa e tij në Laknas për në varrezat e fshatit domje, i janë bashkuar edhe 20 deputetë socialistë.

Riti fetar, traditë e familjes Deda, ka nisur ceremoninë e varrimit. Më pas është kryer edhe ceremonia e varrimit. Me lot dhe hidhërim të afërmit e Hekuran Dedës e kanë përcjellë atë për në banesën e fundit, edhe pse pa prezencën e grave të familjes për shkak të traditës së tyre fetare.

Edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ngushëlluar të afërmit e Hekuran Dedës, protestuesit e vrarë përpara Kryeministrisë.Nesër në Fier zhvillohet edhe ceremonia mortore e Faik Myrtës, një prej demonstruesve që humbi jetën me armë zjarri.

Gjirokastër, përgatiten homazhet për Ziver Veizi

Qindra qytetarë kanë përcjellë për në fshatin e lindjes trupin e Ziver Veizit, 48 vjeçarit nga Gjirokastra.Miq të Ziverit, njëkohësisht dëshmitarë në vendngjarje, kanë treguar momentin e vrasjes së tij, ndërkohë që familjarët e Veizit të revoltuar kërkojnë ndëshkimin e autorëve të vrasjes.Ditën e diel do të kryhen homazhe në nderim të të ndjerit Ziver Veizi në selinë lokale të PS-së, e më pas do të kryhet ceremonia mortore në fshatin Zenelaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat