Urdhëri: Të eliminohet komanda e gardistëve

Shqipëria

Urdhëri: Të eliminohet komanda e gardistëve

Më: 2 shkurt 2011 Në ora: 06:42

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi dje një seancë dëgjimore me anëtarët e Komisioni Parlamentar Hetimor "Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit

kushtetues në datën 21 janar 2011". Gjatë dëshmisë së tij, përreth 120 minuta, ministri Basha ka dhënë informacione dhe detaje lidhur me situatën dhe zhvillimet para, gjatë dhe pas puçit të shtetit, më 21 janar.

***

Së pari, iu falënderoj për ftesën që më keni bërë për t'u paraqitur para këtij komisioni. Iu siguroj se paraqitja ime këtu është vetëm një aspekt që dëshmon vullnetin e plotë, të gjithanshëm dhe të pacenueshëm të dikasterit që unë drejtoj dhe timin personalisht për t'iu përgjigjur të gjitha kërkesave të këtij Komisioni Hetimor, me qëllim që të ndihmoj në zbardhjen e rrethanave, fakteve para, gjatë dhe pas 21 janarit. Duke hedhur dritë mbi mënyrën se si jo vetëm institucioni që unë drejtoj, por edhe institucione të tjera të vendit, kanë vepruar në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e vendit, si dhe në raport me të gjitha aktet e tjera ligjore dhe nënligjore për të përballuar situatën para, gjatë dhe pas 21 janarit. Më lejoni ta nis këtë dëshmi para jush duke thirrur në vëmendjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve çastin tronditës të fillimit të dhunës më 21 janar. Çdo qytetar dhe kanë qenë me qindra dhe mijëra që kanë ndjekur këtë ngjarje nëpërmjet dhjetra e dhjetra mediave të pranishme në vendngjarje, por po kështu ekspertë, gazetarë, diplomatë, i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar mban mend fare mirë dhe kujtdo që i është mjegulluar kujtesa mund të rikujtojë, duke parë pamjet filmike të nisjes së ngjarjes të 21 janarit. Ndonëse ishte njoftuar një tubim nga një forcë politike, nga Partia Socialiste zyrtarisht, ndonëse ky tubim kishte marrë përmasa kombëtare i angazhuar drejtpërdrejt në këtë dhe vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, masa e njerëzve që sapo u vendos para rreshtimit të forcave të rendit nuk u angazhua me asnjë parullë politike. Nuk pati asnjë fjalim. Por menjëherë nisi dhe mesazhi i vetëm i 21 janarit, dhuna. Menjëherë pas mbërritjes përpara kordonit policor, pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë provokim, elementët kriminalë të gjendur të grumbulluar këtu para, nisën goditjen e forcave të rendit. Në fillim me çadra, hunj, mjete të tjera të forta që i mbanin në duar dhe pastaj dhuna u përshkallëzua. Vetëm pak minuta pas nisjes së goditjeve me mjete të forta, që tashmë i kishin sjellë, nisën të lëvizin pllakat e bulevardit dhe të godasin me furi mbi rreshtat e punonjësve të rendit, çka kërkohet menjëherë nisjen e planit të masave, që konsistonte në ato momente, largimin e policisë së rendit të veshur vetëm me uniformën e ditës dhe daljen përpara të forcave të rendit të veshur me mjete mbrojtëse. Dhuna u përshkallëzua hap pas hapi. Në valën e parë të dhunës mbetën të plagosur dhjetra e dhjetra efektivë të Policisë së Shtetit, duke përfshirë këtu drejtues të lartë, të cilët u goditën në kokë, gjymtyrë dhe trup me mjete të forta, duke përfshirë edhe gurë të bulevardit. Dhuna vazhdoi përshkallëzimin edhe pas ndërhyrjes së forcave të ndërhyrjes së shpejtë, e cila pati një rezultat të shkurtër kohor të shpërndarjes, por edhe menjëherë të rigrupimit të masës së dhunshme, e cila e gjendur përballë një qëndrimi të vetëpërmbajtur të Policisë së Shtetit, jo vetëm që nuk iu përgjigj thirrjeve të drejtuesve për të shmangur goditjet ndaj efektivave në detyrë, por vazhduan të godasin efektiva të mbrojtur dhe të pambrojtur. Në këmbë dhe të rrëzuar tashmë nga mjetet e forta me të cilat ata godisnin.

Grupe të droguarish me drogë sintetike, komandoheshin për të ushtruar dhunë

Selia e Këshillit të Ministrave u mbajt e rrethuar nga qindra huliganë dhe banditë të pajisur jo vetëm me mjete të forta tashmë, por siç është evidentuar jo vetëm nga veprimtaria e policisë, por dhe nga media, të armatosur me lëndë plasëse, bomba molotov, armë zjarri si dhe mjete të tjera goditëse. Nga informacionet paraprake dhe nga analiza që vazhdon t'i bëhen ngjarjes nga Policia e Shtetit, u identifikuan 10-15 grupe pesë vetëshe, të cilët sipas analizës paraprake rezultojnë të mirorganizuar, të trajnuar, në raste të veçanta të droguar me drogë sintetike dhe me detyra specifike, të cilat jepeshin nga linja të qarta komande, kontrolli dhe komunikimi në sheshin përballë selisë së Këshillit të Ministrave dhe nga çka rezulton të jetë qendra e kontrollit të veprimit apo shtabi i sulmit, i cili vepronte në ndërtesën përballë selisë së KM, e njohur ndryshe edhe si dy kullat.

Në mesin e turmës persona me precedentë penal, të armatosur me armë zjarri

Në mesin e turmës spikasin një numër i madh personash me precedentë penalë, të armatosur me armë zjarri dhe lëndë plasëse, persona të dënuar më parë për krime të dhunshme, duke përfshirë edhe krime të kryera me armë zjarri në periudhën 1997-2011. Për 5 orë forcat e rendit dhe Garda e Republikës përballuan me vetëpërmbajtje maksimale përshkallëzimin e organizuar, koordinuar dhe shpalosur me efektivitet dhe operacionalitet të plotë nga një turmë, e cila ishte lart të qenit kaotike, e organizuar, e drejtuar dhe e komanduar. Pas 5 orësh sulmesh ndaj Këshillit të Ministrave, pas thyerjes së perimetrit të sigurisë, shkallmimit të derës, tentativës për të përdorur mjete motorike për të shkallmuar barrierën e fundit, goditjes së punonjësve të policisë dhe nxjerrjes së një pjese të mirë të efektivit jashtrë funksionit, goditjes së vazhdueshme të punonjësve të Gardës së Republikës brenda territorit, si rezultat i forcave të rezistencës së forcave të rendit dhe Gardës së Republikës ky operacion sulmi dhe rrethimi i Kryeministrisë mori fund. Policia e Shtetit sipas planit të masave ndërhyri dhe arrestoi në flagrancë dhjetra e dhjetra nga këta persona, në një bilanc përfundimtar të ditës, në fillim u bë fjalë për një viktimë dhe në fund për tre të vdekur gjatë sulmit 5 orësh për të marrë me forcë selinë e Këshillit të Ministrave.

10 ditë para 21 janarit, opozita thirrje për protesta të dhunshme

Dua të ndalem në natyrën e paramenduar të dhunës së ushtruar në 21 janar. Dua të ndalem në thirrjet e bëra veçanërisht 10 ditët para dhunës së 21 janarit. Thirrje të drejtuara nga personat politikë më të lartë të subjektit Partia Socialiste dhe aleatëve të saj. Thirrje për t'u ngritur mbi rendin kushtetues, thirrje që Kryeministri Berisha duhet të pranojë një zgjidhje politike ose do të ecë mbi të vdekur, do ta shihni se çdo t'iu bëj më datën 21, thirrje këto nga platforma të Parlamentit shqiptar, por edhe nga informacionet e mbledhura nga policia ditë më përpara, ku persona me pozita të veçanta në linjat e komunikimit midis udhëheqësve së kësaj përpjekjeje të dhunshme për të marrë institucionet e vendit dhe ushtarëve, që ekzekutuan këtë përpjekje të dhunshme në datë 21, janë shprehur se në 21 do të djegim Këshillin e Ministrave. Se më 21 do të marrë fund Kryeministri etj. Thirrjet për t'u ngritur mbi rendin kushtetues, thirrjet për të përdorur dhunë mbi institucionet legjitime të vendit janë vetëm një aspekt i natyrës së paramenduar të dhunës. Policia e Shtetit, në mënyrë operative mblodhi dhe grumbulloi informacione të shumta, të cilat sugjeronin se më datë 21 janar do të kishte skenarë të ndryshëm, të cilët të gjithë konvergonin në një pikë të vetme, provokimin e forcave të rendit, justifikimin e dhunës mbi ta dhe mbi institucionin që mbronin.

Marrja e selisë së Kryeministrisë synohej përmes asgjësimit të efektivave të rendit

Qëllimi kryesor i operacionit të janarit ishte marrja me forcë e Këshillit të Ministrave pas nxjerrjes jashtë loje të efektivave të rendit, pas nxjerrjes jashtë funksionit të efektivave të Gardës së Republikës dhe objektivi dytësor në pamundësi të marrjes së Këshillit të Ministrave me forcë, shkaktimi i paevitueshëm i viktimave dhe përdorimi i tyre si kauzë për të vazhduar përshkallëzimin e dhunës dhe veprimeve kriminale, me qëllim shkaktimin në vend të një gjendjeje anarkie për të justifikuar rrëzimin e kësaj qeverie të zgjedhur, zëvendësimin e saj me një tjetër, kombinuar kjo me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Si kolegu juaj deputet, por edhe si ministër i Brendshëm kam bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme nga foltorja e Parlamentit shqiptar dhe nga foltoret e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për distancimin e Partisë Socialiste nga kontigjenti kriminal. Kjo pasi asociimi i elementëve kriminalë dhe përzierja e tij në aksionin politik të PS-së është evidente prej më shumë se një viti e gjysmë. Të gjithë kujtojnë aktet e prillit dhe majit të vitit të kaluar, jo vetëm bllokimin thuajse tre javor të bulevardit, por edhe tentativës së bllokimit të akseve kombëtare dhe kundërshtimin me dhunë të forcave të rendit në detyrë, tentativën për të goditur këto forca vetëm pak ditë para zhbllokimit të bulevardit. Angazhimi i kontigjentit kriminal në të gjitha këto veprimtari i personave me precedentë apo të dënuar për krime të dhunshme. Angazhimi i personave dhe ndjekja operative e policisë, si krimet e rënda, trafik droge, trafik armësh, bashkëpunim në vrasje dhe tentativë vrasjeje. Komunikimi me kriminelë të rrezikshëm brenda dhe jashtë burgjeve të vendit, brenda dhe jashtë vendit, ka qenë një konstante e informacionit operativ të Policisë së Shtetit në veprimtarinë dhe aksionin politik për të ndërthurur me elementë kriminalë PS-në. Në këtë periudhë kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore dhe aspak propagandë politike, që unë në çdo rast i kam bërë thirrje në Parlament Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj të distancohet nga kontigjenti kriminal. Megjithatë në kundërshtim me këto thirrje, ngjarjet duken se kanë ecur në krah të kundërt. Ka qenë një ditë dramatike, një thyerje historike me historinë e Shqipërisë moderne pas viteve '90, një ditë ku u tentua që me forcë të përmbysej rendi kushtetues, të asgjësohej ekzistenca e forcave të rendit dhe Gardës së Republikës, të pushtohej me forcë selia e Këshillit të Ministrave dhe pas kësaj të sigurohej pjesa tjetër e planit të anarkisë dhe rrëzimit të qeverisë së zgjedhur, nëpërmjet dhunës. Kjo, pra, si mënyrë veprimi synonte të arrinte këtë rezultat, largimin e qeverisë së zgjedhur, jashtë dhe pavarësisht zgjedhjeve elektorale dhe instrumenteve të tjerë kushtetues të vendit. Të impononte me forcën jo të tankeve, as të njësive të armatosura, por të njësive të banditëve të paguar, droguar, trajnuar, pajisur me një shtab të mirëfilltë dhune, të realizonte me dy fjalë një puç të mirëfilltë shteti.

Policia dhe Garda kishte marrë masa për garantimin e një tubim paqësor

Gjatë rrethimit dhe sulmit ndaj Këshillit të Ministrave për 5 orë më 21 janar, i gjithë kontigjenti i përdorur rezulton jo vetëm kontigjent kriminal, por dhe në tërësi kontigjent pa lidhje organike me PS-në. Janë evidentuar pjesëmarrës dhe organizatorë të protestës në një perimetër dhe distancë të largët nga teatri i veprimeve të grupit kriminal dhe goditja e KM. Është e qartë se kemi të bëjmë me një operacion të mirorganizuar, detajet po i zbardh hetimi. Unë dua të ndaj me ju në këtë komision disa prej këtyre detajeve. Fakti se pas ndalimit të dhjetra e dhjetra të ndaluarve iu janë gjetur shuma standarde në xhep në vlerë afro 200 mijë lekë, kryesisht në prerje euro, vërteton se grupi që mori pjesë në goditjen, sulmin dhe rrethimin ndaj Këshillit të Ministrave ishte një grup i paguar. Ndonëse që të merren veprimet e tjera hetimore për të vërtetuar informacionin operativ për përdorimin e drogave sintetike dhe drogave të tjera, ky proces është akoma në vazhdim midis Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit. Plani i masave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës ka qenë i plotë. Në përputhje me ligjet e shtetit të dy këto organizma, duke u bazuar në informacionet e marra, hartuan një plan të detajuar masash për datën 21 janar. Ky plan kishte objektiv parësor garantimin e një tubimi paqësor dhe garantimin e rendit të sigurisë dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Ky plan iu është vënë në dispozicion juve të nderuar zotërinj të komisionit, por unë dua të veçoj disa momente. Së pari, plani shtrihej në qarqe dhe në qendër. Ka qenë i detajuar edhe ka përdorur të dhënat operative edhe për të identifikuar personat me precedentë të mëparshëm për ndalimin e tyre. Ky plan masash parashikonte edhe bashkëpunimin me Prokurorinë, të cilës sikundër ngjarjeve të mëparshme i është kërkuar të vendosë në terren prokurorë me qëllim që të jenë aty për të kryer veprimet e çastit, arrestimet në flagrancë etj.

SHISH nuk kishte asnjë informacion specifik për demonstratën e dhunshme

Paraprakisht në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera ligjore, Policia e Shtetit ka kërkuar informacion nga SHISH me shkresë, SHISH i është përgjigjur sipas përgjigjes që ju është bërë publike, duke mos dhënë asnjë informacion specifik mbi ngjarjen e 21 janarit. Më lejoni të ndalem në një pjesë tjetër të grushtit të shtetit. Rreth orës 17:00 morëm infomacione se ka një viktimë, e cila ndodhet në spital. Në përfundim të rrethimit të Kryeministrisë për ta marrë atë me forcë erdhi informacioni se bëhej fjalë për tri viktima të vdekura dhe një person në gjendje të rëndë shëndetësore.

Prokuroria përjashtoi Policinë Kriminale nga hetimi i 21 janarit

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni dhe pas thirrjes që i është drejtuar Prokurorisë për të nisur hetimin mbi këtë çështje janë njoftuar nga policia se, Prokuroria ka marrë në dorë hetimin dhe Policia Kriminale nuk do të jetë pjesë e këtij hetimi, por do të ndihmojë sipas ligjit çdo aspekt të punës së Prokurorisë. Pas situatës së krijuar jam i sigurtë se në çdo familje shqiptare që e përcolli ngjarjen nëpërmjet televizionit, pas situatës së krijuar në mesin e forcave të rendit dhe forcave të Gardës së Republikës të cilët u gjendën për 5 orë në sulmin e vazhdueshëm të kontigjentit kriminal, që kishte për qëllim marrjen me forcë të KM, në orën 01:30 minuta kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp, ku kërkoi që të nesërmen të protestohej kundër horrave të gardës. Natyrisht deri në orën 01:30 me daljen e kryetarit të Partisë Socialiste dhe thirrjes së tij me luftën ndaj "horrave të gardës", ne gjendeshim vetëm para një tentative unike edhe në Europën e viteve të fundit, për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues të një partie politike dhe askujt në këtë moment nuk i shkonte ndërmend fjala puç apo grusht shteti. Ishte një moment dramatik, moment ku pas paralajmërimeve të qarta publike, zoti Rama kishte vënë në jetë planin e përdorimit të dhunës dhe mjeteve të dhunshme për të marrë pushtetin. Të nesërmen në orën 6 të mëngjesit kam marrë në telefon drejtuesit e policisë, për t'i pyetur ata për gjendjen në vend. Më rezultoi se gjendja në vend ishte e qetë, posaçërisht në Tiranë dhe qytete të tjera, policia menjëherë pas rrëzimit të rrethimit të Kryeministrisë kishte marrë masa të posaçme jo vetëm për shoqërimin e elementëve të dhunshëm që morën pjesë në këtë tentativë, por dhe për kontrollin e çdo pjese të territorit, me qëllim shmangien e akteve vandale mbi pronën private dhe qytetarëve, akte të cilat nuk kishin munguar në pararendje të sulmit të Kryeministrisë, a dhunë mbi qytetarët dhe pronën private. Drejtuesit e lartë të policisë me të cilët mora kontakt, informuan se nuk ka patur ngjarje të jashtëzakonshme dhe se situata në gjithë territorin e vendit paraqitej nën kontroll.

Rama paralajmëroi protestë kundër "horrave të gardës"

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më informoi se në orë 6:15 minuta e kanë informuar se në dhomën operative të Policisë së Shtetit disponon 6 urdhra ndalime të Prokurorisë për drejtuesit e gardës. E pyeta se për çfarë punonjësish bëhej fjalë dhe më tha se do të ma jepte këtë infotrmacion sapo të dilte në zyrë. Në orën 6 e 30 minuta më njoftoi se urdhër ndalimet ishin për komandantin e gardës dhe të 5 komandantëve operativë të gardës. Pra, për të gjithë zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. I ndodhur para një situate të tillë, ku nga njëra anë Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kishin përballuar me sukses të plotë, por edhe me kosto një sulm ndaj Këshillit të Ministrave i ndodhur para një situate, ku i kishim bërë thirrje Prokurorisë të hetonte jo vetëm mbi tre viktimat, por të gjithë rrethanave, madje iu kishim vënë në dispozicion gjithçka, pas thirrjes vetëm 4 orë më parë të kryetarit të PS-së, se të nesërmen do të kishte një demonstratë për "horrat e Gardës" nuk mund të mos shprehja habinë, shqetësimin tim, të cilin e konsiderova në atë moment të paktën të nxituar. Eliminimi i komandës operative të Gardës do të thotë jo vetëm në atë situatë të tensionuar, por në çdo situatë demoralizim i plotë i gjithë objektivit është një sinjal i qartë, që i citohet punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Çfarëdo që të jetë situata, kini kujdes, sepse jo vetëm ju zyrtarë të thjeshtë të Policisë dhe Gardës, por, duke filluar nga komanda juaj do të ndaloheni. Ky ishte një mesazh shkatërrimtar, jo vetëm për ata që ruajnë rendin dhe sigurinë dhe institucionet kushtetuese, por për çdo efektiv komisiariati në çdo komisariat të vendit, një situatë, e cila e kombinuar me situatën e kërcënimit të vazhdueshëm të Edi Ramës, i cili vetëm 12 orë përpara kishte treguar se ishte i vendosur të përdorte mjete të mundshme për të rrëzuar institucione kushtetuese të vendit ishte tërësisht e papranueshme.

Prokurorisë iu dha garancia për të marrë në pyetje çdo drejtues të Gardës

Prita orën 8 të mëngjesit dhe pak minuta më vonë bëra një thirrje telefonike me Prokuroren e Përgjithshme të vendit, i shpjegova situatën shqetësimin tim dhe i thashë se kjo është një situatë potencialisht eksplozive, e cila mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës, duke nxjerrë jashtë funksionit pjesë të tëra të Gardës së Republikës dhe duke lëshuar sinjale demoralizuese për mbrojtësit e shtetit. I kërkova sqarime, duke i thënë se në asnjë skenë tjetër nën hetim nuk ka patur aq shumë kamera, duke i thënë se, mesa duket hetimi balistik kishte shumë gjasa të përfundonte me sukses, armët e përdorura nga Garda ishin të gjitha në funksion të Prokurorisë të gjithë urdhrat e dhëna janë të regjistruara në qendrat operative përkatëse dhe se ishte e dëmshme që e gjithë komanda operative të ndalohej, ndërkohë që në funksion të hetimit këto mjete mund të shërbenin për një ngushtim të hetimit, përsa i përket nevojave për të shoqëruar dhe marrë të gjithë personat përkatës. Prokuroria e Përgjithshme më informoi se do të merrte kontakte me prokurorët e çështjes dhe do të lidheshim përsëri. 50 minuta më vonë më mori në telefon dhe në një bisedë relativisht të shkurtër më komunikoi se duhet të pyetej secili prej tyre. I thashë se, secili prej tyre është në dispozicion të pyetet, por ndalimi i tyre në këtë situatë, ne nuk e dimë se çdo ndodhë, se është paralajmëruar një demonstratë kundër horrave të Gardës është absolutisht i dëmshëm për veprimtarinë e Gardës dhe në dukje i panevojshëm, sepse të gjithë komandantët ishin në krye të detyrës. I thashë se rreziku i arratisjes së tyre siç thuhej në urdhër ndalimet, faktikisht nuk duhej të mbivlerësohej një situatë e tillë. Pas kësaj, informova Kryeministrin e vendit dhe kërkova një takim me Presidentin e Republikës, të cilin e vura në dijeni mbi këtë çështje, por edhe mbi çështjen tjetër të mosardhjes së informacionit nga SHISH për Policinë e Shtetit mbi ngjarjen e 21 janarit.

Deklaratat e Ramës kundër Policisë dhe Gardës alarmuan përfaqësuesit diplomatik

Rreth orës 12, ndërkohë që tensioni vazhdonte të rritej pas deklaratave pothuaj çdo orë të kreut të PS-së, Edi Rama dhe personave të tjerë dhe i mbetur pa asnjë përgjigje për këtë kërkesë, u detyrova të kontaktoj 4 ambasadorë përfaqësues të shteteve anëtare të NATO-s dhe t'i informoj mbi situatën si dhe t'iu kërkoj atyre mendimin e tyre mbi këtë çështje. Në mënyrë unanime dhe konsensus të plotë më thanë se, kërkesa vetëm disa orë pas deklaratës së Edi Ramës për protestë kundër horrave të Gardës duket pak e nxituar dhe se ndanin shqetësimin mbi efektin që kjo do të kishte mbi strukturat e forcave të Gardës dhe Policisë së Rendit dhe përfundimisht mbi efektin që kjo do të kishte mbi situatën e rendit dhe qetësisë në vend dhe rendit dhe sigurisë së institucioneve kushtetuese.

Prokuroria kërkoi ndalimin e gardistëve, një ditë para protestës së PS, më 28 janar

Pas disa përpjekjesh dhe pas vendimit të SHBA-ve për të ndihmuar fillimisht me ekspertë dhe pastaj me prokurorë hetimin e plotë të gjithanshëm të 21 janarit, pavarësisht anulimit të aktiviteteve politike nga mazhoranca dhe në faqe të kërcënimit të vazhdueshëm për të vazhduar aktivitetet masive politike, pavarësisht këshillave të ndërkombëtarëve për t'i ndaluar ato, u kërkua mundësia e një rrugëdalje përsa i përket marrjes në pyetje të 6 komandantëve të Gardës. Mundësi për të cilën ne ramë dakord menjëherë, u ra dakord pranë informacionit tonë dhe me ndërmjetësimin e një vendi partner në NATO, që të 6 komandantët të pyeteshin dhe të riktheheshin në detyrat e tyre. Pavarësisht paraqitjes së 6 komandantëve mbi 5 orë në ambientet e Drejtorisë së Qarkut të Policisë në Tiranë, pala tjetër refuzoi të marrë deklarata me shkrim dhe insistoi në ndalimin e pjesshëm të personave të paraqitur. Kjo ndodhi një natë para protestës së njoftuar të 28 janarit.

Janë refuzuar përgjime për persona të dyshuar si kontigjentë kriminalë

Kemi të bëjmë me një seri veprimesh dhe mosveprimesh të institucioneve të caktuara të vendit para gjatë dhe pas sulmit të dhunshëm dhe përpjekjes për të marrë me forcë godinën e Kryeministrisë, a është kjo një seri rastësisht absurde apo është pjesë e një plani të mirëfilltë konspiracioni për të mbështetur nëpërmjet veprimeve apo mos veprimeve aksionin kriminal dhe objektivat e tij të puçistëve të 21 janarit? Janë refuzuar përgjime për persona të dyshuar si kontigjentë kriminalë që vepronte në përputhje me interesat e këtij shtabi puçistësh muaj e muaj përpara. Nuk kanë ardhur prokurorë atë ditë, pavarësisht se janë kërkuar. SHISH nuk ka dhënë informacion dhe deri më sot, nuk ka patur as edhe një veprim as në bazë të referimit të Policisë së Shtetit dhe as kryesisht ndaj organizatorëve dhe frymëzuesve të dhunës siç janë dëgjuar dhe vazhdojnë të dëgjohen sot në mediat e vendit që bënin thirrje për veprime antikushtetuese anti-ligjore dhe të dhunshme ndaj institucioneve. Unë besoj se është roli i këtij Komisioni Hetimor të zhbirilojë deri në fund veprimtarinë e çdo institucioni mbi bazë faktesh, provash të shohë nëse këto veprime kanë qenë në përputhje me ligjin dhe të shohë se si bashkëveprojnë veprimet e tyre në momente të caktuara me dhunën dhe përpjekjen për të marrë me dhunë selinë e Kryeministrisë si dhe përgatitjet përpara dhe situatën pas kësaj përpjekje të dhunshme të 21 janarit. Kam besim të plotë, se me faktet që iu janë vënë në dispozicion por edhe fakte të tjera që ju keni vendosur të mblidhni nëpërmjet veprimtarisë tuaj, marrjes së deklaratave, marrjes së informacionit dhe mbledhjes së fakteve në të gjitha mënyrat e format e garantuara në Kushtetutë do të zbardhin përgjigjen e pyetjes që unë sapo shtrova dhe se gjithë këto mosveprime dhe veprime janë një rëndësi absurde apo janë pjesë e një plani për të arritur një rezultat politik me veprime të dhunshme antikushtetuese dhe antiligjore, dhe jashtë kornizës së zgjidhjeve dhe instrumenteve të tjera kushtetuese të vendit. Që prej 21 janarit pozita e shqiptarëve ka ndryshuar jo vetëm në territorin e Shqipërisë, por në të gjithë rajonin .Vetëm pak javë më përpara, faktori shqiptar ka qenë më i fortë dhe i sigurtë se kurrë. Shqipëria, anëtare në NATO, qytetarët shqiptarë lëvizin të lirë në zonën Shengen. Kosova është e pavarur dhe perspektiva evropiane është jo vetëm aspirata, por me sa duket dhe një realitet i frikshëm për çdo shqiptar në Ballkan. Që prej 21 janarit, situata është e ndryshme jo vetëm në Tiranë, por dhe në Prishtinë, Maqedoni, Mal të Zi, po mesa duket në rrethana të ndryshme dhe për shkaqe të ndryshme në të njëjtën kohë faktori shqiptar ndodhet nën goditje të vazhdueshme. Ndoshta dhe kjo është rastësi dhe nuk jam këtu për të spiunuar idenë e një konspiracioni antishqiptar, por të paktën jam këtu për të shprehur vullnetin tim si anëtar i maxhorancës si dhe për t'i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë pavarësisht bindjeve të tyre politike, gjinisë, moshës, statusit shoqëror apo social, të jemi të sinqertë dhe të mos lejojmë asnjë forcë sado të errët, aq më pak sado të izoluar të zhbëjë arritjen e deritanishme dhe të kërcënojë me dhunën dhe mjetet e ndryshme të ardhmen e çdo fëmije shqiptar të prindërve të tyre dhe prindërve të prindërve të tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat