Topalli në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane

Shqipëria

Topalli në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane

Më: 13 prill 2011 Në ora: 17:01

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë në Konferencën e 9-të të kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, që zhvilloi punimet në Mal të Zi më 12 prill.

Në këtë konferencë të organizuar nga Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi. Ranko Krivokapic që mban dhe presidencën e radhës së kësaj nisme morën pjesë Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebic, Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini, dhe nënkryetarët e Parlamenteve të Greqisë dhe Serbisë, Grigorios Niotis dhe Nikola Novakovic.

Kryeministri i Malit të Zi, Igor Luksic, përshëndeti Konferencën duke theksuar rëndësinë e kësaj Nisme për vendet pjesëmarrëse. Kjo konferencë iu kushtua temave “Zona e Mesdheut - djep i multikulturalizmit dhe “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit energjetik i rajonit Adriatiko-Jonian”.

Kryetarët e parlamenteve të pranishëm ndanë mendimin se Mesdheu përfaqëson bashkëjetesën më të gjere të kulturave dhe besimeve në një dhënie dhe marrje historike duke ofruar sot modelin e një multikulturalizmi që nuk ndan, por afron vendet dhe popujt tanë.

Në kontributet e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallu i kushtoi vëmendje të veçantë menaxhimit të burimeve energjetike si një sfidë për të gjitha vendet e Nismës Adriatiko-Joniane.

Ajo theksoi se shfrytëzimi me efikasitet i kapaciteteve dhe potencialeve energjetike ndihmojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e një ekonomie te qëndrueshme. Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë tërhoqi vëmendjen e konferencës se: “Duhet të jemi më direkt dhe më agresivë si vende të Nismës Adriatiko-Joniane” për të marrë fonde nga Brukseli; në të vërtetë ne si parlamentarë por dhe dimensioni parlamentar, këtu, ka peshën e vet. Të gjitha këto konferenca kanë rëndësinë dhe peshën e vet, por në fund të fundit ato duhet të konkretizohen për të bërë të mundur që të dëgjohen dhe të arrijnë në gjëra konkrete - për të marrë fonde për infrastrukturë të rëndësishme që kalojnë nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëri, Greqi e më gjerë”.

Gjatë punimeve të Konferencës Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u takua me Kryeministrin e Malit të Zi, Luksic, dhe homologët e saj në këtë Nismë. Konferenca u zhvillua në një frymë të angazhimit për bashkëpunim të këtyre vendeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat