Topalli: Shqipëria është në periudhën e saj më të mirë

Shqipëria

Topalli: Shqipëria është në periudhën e saj më të mirë

Më: 15 prill 2011 Në ora: 16:45

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli mori pjesë në Takimin e Përbashkët Parlamentar për Ballkanin Perëndimor që u organizua nën kujdesin e Presidentit të Parlamentit Evropian, Buzek dhe kryetarit të Parlamentit Hungarez, Lazlo Kover, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës së BE, në Bruksel më 13-14 prill.

"Ballkani Perëndimor, drejt një Evrope më të integruar" ishte tematika e këtij takimi të lartë parlamentar, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso.

Debatet e këtij takimi që mblodhi së bashku eurodeputetë dhe anëtarë të palamenteve kombëtare, u karakterizuan nga një konsensus i gjerë, për të mbështetur perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij Kryeministri hungarez Orban theksoi se zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet e presidencës hungareze të BE dhe, duke njohur përpjekjet e Shqipërisë, kjo Presidencë nxit që të fillojnë negociatat shpejt,me këtë vend.

Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso u shpreh se, Evropa i sheh vendet e Ballkanit Perëndimor, si anëtarë të familjes evropiane të kombeve.

Në kontributin e saj Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, u shpreh : “Unë vlerësoj jashtëzakonisht këtë takim të përbashkët Parlamentar, ndërmjet Parlamentit Evropian dhe parlamenteve kombëtare të Ballkanit Perëndimor me tematikë “Ballkani Perëndimor drejt një Evrope më të integruar”.

Së pari dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian, të gjitha grupet parlamentare dhe shumicën dërmuese të eurodeputetëve, që kanë votuar për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, vitin e kaluar. Ka qenë absolutisht një vlerësim i ndershëm për progresin që, Shqipëria ka bërë këto vitet e fundit. Gjithashtu dëshiroj të falënderoj shumë Parlamentin Evropian për të gjitha përpjekjet e tij, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit. Dhe në këtë kontekst, dua të falënderoj Presidentin Buzek për solidaritetin, kundrejt Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë, në veçanti.

Shqipëria, sikurse e dini, është vend anëtar i NATO-s gjë, që do të thotë se, Shqipëria ka bërë progres të madh, ka ndërmarrë reformat të jashtëzakonshme dhe ka realizuar trasformime spektakolare.

Vetëm mendoni 20 vjet më parë, kur Shqipëria filloi procesin e integrimit dhe ku është sot. Në fakt, Shqipëria është vendi që ka bërë rrugën më të gjatë në kohën më të shkurtër. Për këtë dua të ndalem në disa tregues ekonomikë të saj. Në një kohë kur ka një krizë financiare dhe ekonomike, që ka përfshirë shumë vende, Shqipëria ka pasur vitin që shkoi një rritje ekonomike 4%, ndërsa tre muajt e fundit të po të këtij viti, rritja ekonomike ishte 5%; ka rritje të exporteve me 62%; ka borxhin 59%, duke e reduktuar me 2 % vitin e kaluar; ka një deficit buxhetor 3,5%, ndërsa inflacioni është nën kontroll. Mendoj se, Shqipëria është në periudhën e saj më të mirë.

Po kemi patur probleme artificiale të krijuara nga dikush. Këto janë sfida të demokracisë. Historia jonë nuk ka qenë një histori fatlume, gjatë të cilës, ne kemi pësuar shumë. Por, ne jemi të vendosur të shkojmë përpara. Ne kemi nevojë për solidaritet, ne kemi nevojë që të tjerët të tregohen të ndershëm me shqiptarët. Shqiptarët kanë sfidat e tyre, por janë të vendosur dhe të angazhuar në rrugën e integrimit”.

Në lidhje me akuzat e eurodeputetit Boshtinaru, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh:

“Bie dakort me çfarë tha Boshtinaru se, kjo është e panevojshme. Ka një Boshtinaru që ka propozuar që shqiptarëve t’u mohohet pa shkak lëvizja e lirë dhe Shqipërisë t’i imponohet sërisht “Muri i Berlinit”; ka edhe 3.2 milionë shqiptarë, mes të cilëve edhe Jozefina Topalli, që këto propozime të përbuzshme i konsiderojnë antishqiptare, raciste e të ulta dhe të motivuara nga interesa të ulta! E ritheksoj se të tilla propozime “ a la çaushesku” janë qartësisht të sponsorizuara nga qarqe antishqiptare! Ky është realiteti!!! Nëse prej realitetit fyhet ndokush, faji nuk është as i realitetit, as i 3.2 milionë shqiptarëve, e aq më pak i Jozefina Topallit !”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat