Tiranë: Tiranë: Politikanët kërkojnë respektim të votës

Shqipëria

Tiranë: Tiranë: Politikanët kërkojnë respektim të votës

Më: 9 maj 2011 Në ora: 19:58

Procesi i numërimit të votave në Shqipëri po ecën shumë ngadalë në të 66 Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), andaj është ende herët për ndonjë informacion të saktë lidhur me numërimin në shkallë vendi.

Në Bashkinë e Tiranës janë numëruar 70 kuti votimi nga 485 sosh në të gjithë bashkinë qendër.

Nga ky numërim del në avantazh kandidati i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i kësaj partie, Edi Rama ka marrë 51% vota karshi kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha me 49%.

Ende nuk mund të thuhet nëse dita e sotme do të sjellë rezultatet e para zyrtare, pasi procesi për numërimin e votave po tejzgjatet.

Në disa KZAZ në Tiranë, procesi është ndërprerë, komisionarët kanë marrë pushim dhe do të rikthehen më vonë për të rifilluar numërimin.

Kjo mënyrë e numërimit është e parashikuar edhe në Kodin Zgjedhor - mënyrë kjo e cila kërkon më shumë kohë, por garanton transparencë për çdo votë të numëruar.

Gjatë ditës nuk kanë munguar deklaratat e politikanëve nga të gjitha kampet politike.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, i bëri thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të njohë rezultatin zgjedhor.

“Ftoj Ramën të deklarohet se do të njohë rezultatin në çdo bashki e komunë”, tha Topalli, duke u kërkuar numëruesve të zbatojnë ligjin “siç kanë bërë deri më tani”.

Topalli i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në selinë e PD-së.

Nga ana tjetër, kreu i PS-së, Rama, u bëri thirrje numëruesve që të tregojnë vendosmërinë e komisionarëve që të mos preket asnjë votë. Rama ripërsëriti se "i kemi fituar zgjedhjet qartë dhe saktë".

Misioni i 525 vëzhguesve të huaj do të japë të martën vlerësimin për zgjedhjet lokale. Këto të fundit shihen si test i Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Raportohet se dalja në votime ka qenë më shumë se 50.9 për qind.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat