Garë e ngushtë në Tiranë

Shqipëria

Garë e ngushtë në Tiranë

Më: 11 maj 2011 Në ora: 16:54

Nga numërimi i deritanishëm i votave në Tiranë, kandidati i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka një epërsi të lehtë. Rama kandidon për një mandat të katërt për kryetar bashkie.

Procesi i numërimit është mbyllur në tri njësi bashkiake – në njësinë numër 1, numër 4 dhe numër 10.

Në njësitë numër 1 dhe 10 kryeson me një diferencë të vogël kandidati i mazhornacës, Lulzim Basha, ndërsa në njësinë numër 4 ai i opozitës.

Deri tani, është zoti Rama që avancon ndaj zotit Basha me 86,463 vota, ndërsa kandidati i PD-së ka 85,982 vota.

Procesi i numërimit në disa njësi bashkiake ka qenë i ngadaltë, ndërsa njësitë numër 5 dhe 8 veçohen me problematika.

Megjithatë, vihet re një zvarritje në total te Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve që kanë mbetur ende pa përfunduar procesin e numërimit.

Nga ecuria e deritanishme, dita e sotme nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat përfundimtar për Tiranën. Fatin për kryeqytetin pritet ta vendosin dy njësi bashkiake – njësia numër 5 dhe ajo numër 8, të cilat njihen si bastion i PS-së, përkatësisht i PD-së.

Në anën tjetër, Partia Socialiste, në koalicionin e emëruar si “Aleanca për të ardhmen”, ka fituar shumicën e bashkive kryesore. Së fundmi është përmbyllur procesi edhe në Bashkinë e Korçës, ku kandidati i PS-së është shpallur fitues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka bërë të qartë se kur mund të ketë një hartë të tij se si ka shkuar ecuria e dy kampeve kryesore në zgjedhje.

Megjithatë, raportohet se kandidatët e Partisë Socialiste kanë fituar bashkitë kryesore, ndërsa Partia Demokratike, si forcë politike, ka marrë më shumë vota se PS-ja.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë të ditur se do të jenë deri në fund të procesit të numërimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat