Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Vollfart, deklaroi mbrëmjen e sotme se procesi i numërimit të votave po bëhet i saktë dhe transparent.
Vollfarth, i cili po vëzhgoi procesin e numërimit të votave në njësinë 9, KZAZ nr. 53, në Tiranë, e konsideroi si të rëndësishëm faktin se vota po numërohet drejt, por ai vlerësoi se ky proces duhet të ishte më i shpejtë.
"Ne jemi të sigurt se procesi i numërimit të votave po bëhet i saktë", tha Vollfarth. Ai u kërkoi politikanëve të presin procesin e numërimit, te jenë të qetë dhe të presin rezultatin. Kjo njësi, e cila është në përfundim të procesit të numërimit të votave për kryetar Bashkisë së Tiranës, ka patur një proces të ngadalshëm, për shkak të vonesave dhe zvarritjeve nga komisioneret e grupeve të numërimit.
Aktualisht, procesi i numërimit po vëzhgohet nga afër nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, kanë monitoruar në vijimësi procesin paraelektoral, ditën e votimeve si dhe po ndjekin nga afër edhe procesin e numërimit.