KQZ miratoi protokollin e nxjerrjes së rezultateve zgjedhore për Tiranën

Shqipëria

KQZ miratoi protokollin e nxjerrjes së rezultateve zgjedhore për Tiranën

Më: 17 maj 2011 Në ora: 09:27

KQZ miratoi mbrëmë vetëm protokollin se si do të bashkojë në një tabelë të vetme 11 tabelat e rezultateve të votimit nga 11 njësitë bashkiake të Tiranës. Kjo procedurë u miratua me votat e gjithë antarëve të KQZ dhe pritet t’u lehtësojë punën sekretarisë teknike të këtij komisioni. Përveç këtij dokumenti, as nga kjo mbledhje nuk doli ndonjë rezultat përfundimtar për zgjedhjet që qytetarët e Tiranës kanë bërë për kryetarin e bashkisë së tyre. Partia Socialiste po kërkon që KQZ të miratojë tabelat me rezultatet përfundimtare, ku sipas saj, fitues është kandidati Edi Rama. Ndërsa Partia Demokratike kërkon të merret në shqyrtim edhe fletët e rregullta të votimit që janë hedhur gabimisht në kutitë me ngjyra të tjera.

Një javë pas mbylljes së procesit të votimit, njësia numër 5 e Tiranës i dorëzoi dje në mesditë KQZ-së tabelat me rezultatet e zgjedhjeve, të cilat u firmosën vetëm nga tre anëtarë të komisionit zonal, ndërsa katër anëtarët e tjerë nuk kanë nënshkruar. Juristët shpjegojnë se rezultatet e firmosura nga vetëm tre anëtarë komisioni nuk kanë vlerë juridike, prandaj KQZ duhet të marrë një vendim për rezultatin përfundimtar të njësisë 5 para se të shprehet për rezultatin e Tiranës. Aq më tepër që njësia 5 është më e rëndësishmja për socialistët sepse aty Edi Rama mori një numër të konsiderueshëm votash, gjatë numërimit të kutive të fundit dhe një diferencë të vogël ndaj kandidatit tjetër Lulzim Basha.

Opozita socialiste kërkoi shkarkimin nga detyra të katër komisionerëve të djathtë në komisionin zonal të njësisë 5, ndërkohë që KQZ ka dërguar atje inspektorët e vet për të parë nga afër situatën. Vonesat në dorëzimin e rezultateve nga njësia 5 ka sjellë një vonesë edhe në nxjerrjen e rezultatit për kryetarin e Tiranës, gjë që është vendosur në qendër të debateve në KQZ.

Ndërkohë që vazhdojnë diskutimet për rezultatin e zgjedhjeve për kryetarin, nga ana tjetër po vazhdon numërimi i votave për këshilla bashkiakë dhe për kryetarët njësive bashkiake. Komisionerët pohojnë se në këto kuti po gjejnë herë pas here edhe vota të rregullta për Edi Ramën apo Lulzim Bashën, të hedhura gabimisht në kutitë e tjera. Partia Demokratike kërkon që edhe ato të numërohen si të vlefshme dhe t’i bashkohen rezultatit përfundimtar, por socialistët kërkojnë që ato të shpallen të pavlefshme, meqenëse nuk gjenden në kutinë e duhur.

Nëse do të ndiqet kërkesa e PD-së, pra, që votat e gjetura në kutitë e tjera duhet t’i bashkohen kutisë së parë, atëherë rezultati për zgjedhjen e kryetarit mbetet të shpallet i fundit, pasi të numërohen gjithë kutitë e tjera për këshilla dhe minibashki. KQZ është e mbingarkuar në këto zgjedhje edhe për faktin sepse po kryen funksionet edhe si një komision zonal i përgjithshëm për Tiranën. Hartuesit e Kodit Zgjedhor kishin miratuar ngritjen e 11 komisioneve zonale por kishin lënë pas dore ngritjen e një komisioni qendror për kryeqytetin, që të trajtonte materialet e 11 minibashkive.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat