Njësia 5, ka rinisur numërimi

Shqipëria

Njësia 5, ka rinisur numërimi

Më: 17 maj 2011 Në ora: 21:24

Pas më shumë se 24 orë ndërprejeje ka rinisur numërimi i 65 kutive në të cilat qytetarët e njësisë bashkiake numër 5 në Tiranë kanë votuar për kreun dhe këshillin e kësaj minibashkie.

Numërusit kanë nisur punën të qetë nën vëzhgimin konstant të vëzhguesve nga partitë politike që herë pas here kontestojnë disa fletëvotimi.

“Ne menduam që të marrim vendimin për të miratuar zgjatjen e zgjedhjeve për këshillin bashkiak. Kishte disa probleme në sistem dhe vendosëm që të ecim paralelisht. Filloi numërimi dhe disa anëtarë u ndanë në 2 grupe: disa ndoqën plotësimin dhe rregullësinë e tabelave disa të tjerë u morën me monitorim. Procesi vazhdon normalisht dhe besoj se kështu do të vazhdojë deri në fund”, u shpreh Ilir Goci, kryetari i KZAZ-së nga PD.

“Procesi i numërimit pati një ndërprerje prej 24 orësh për arsye se nuk kishin përfunduar tabelat e rezultateve për kryetarin e këshillit bashkiak të cilat u përfunduan dje dhe u dorëzuan në KQZ pa miratimin e anëtarëve të PD-së, të cilët kishin disa vërejtje që nuk kishin të bënin fare me rezultatin. Sot po bëheshim gati që të fillonim numërimin për këshillat bashkiakë dhe kryetarët për njësi bashkiake”, theksoi Violeta Sinojmeri, anëtare e PS-së në KZAZ.

Mëngjesi i sotëm në këtë KZAZ ka shënuar një ngjarje e cila më shumë se habi ka ngjallur një mori pikëpyetjesh dhe dikutimesh.

Antarët e kësaj KZAZ-je rastësisht kanë gjetur një fletë votimi për kryetar bashkie poshtë skanerit në tavolinën numër 1.

“KZAZ-ja administron vetëm produktin që del nga kutitë. Ajo fletë e gjetur i është dorëzuar sekretares. Tani vendos KQZ-ja sepse ne nuk kemi të drejtë të marrim vendim për të”, deklaroi Goci.

Violeta Sinojmeri shtoi: “Gjeta një fletë votimi të palosur dhe që kishte të dyja vulat. E lajmërova kryetarin, Z. Ilir Goci, dhe mbajtëm shënim në librin e konstatimeve. KQZ-ja do ta ndjekë këtë çështje tashmë. Fleta e votimit ishte për kandidatin Edi Rama, por kjo nuk ka rëndësi. I rëndësishëm është fakti që një fletë votimi e rregullt gjendet jashtë kutisë së votimit.”

Do të duhet të paktën edhe disa ditë të tjera që numërimi në këtë KZAZ të përfundojë nëse ndërprerjet nuk do të rikthehen përsëri.

Ndërsa në KZAZ-n 53, të njësisë numër 9 kanë mbetur pa u numëruar edhe pesë kuti ku deri më tani Indrit Fortuzi, kandidati i Aleancës për Qytetarin udhëheq me 735 vota plus.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat