KQZ në orën 10:00 e vazhdon mbledhjen për rinumërimin

Shqipëria

KQZ në orën 10:00 e vazhdon mbledhjen për rinumërimin

Më: 19 maj 2011 Në ora: 08:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të nis mbledhjen e radhës sot në orën 10:00 për të proceduar më tej me ri-numërimin e votave nga kutitë e votimit të zgjedhjeve lokale të tetë majit.

Fjala është për fletat e votimit për kryetar të bashkisë, ku votuesi ka shprehur qartë qëndrimin e tij, por i ka hedhur në kutinë e gabuar.

Në kutitë e Tiranës janë gjetur jo pak vota të tilla, të cilat tashmë po rinumërohen. Megjithatë, Partia Socialiste, është shprehur e shqetësuar pasi ata vlerësojnë se KQZ dëshiron ta përmbysë rezultatin në të mirë të kandidatit nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kandidati socialist, Edi Rama, ka thënë se ka fituar me 10 vota më shumë se kundërkandidati demokrat, Lulzim Basha, mirëpo ky rezultat nuk është zyrtarizuar nga KQZ.

Ndërkaq, tensionet në Tiranë janë rritur gjatë ditës së djeshme, jo vetëm për shkak se deputetë socialistë tentuan të hyjnë me forcë në ambientet e KQZ-së, por edhe për shkak se kryetari i Grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, ka paralajmëruar revoltë popullore si zgjidhje të vetme për atë që e cilësojnë numërim policor të votës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat