Vazhdon numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara

Shqipëria

Vazhdon numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara

Më: 19 maj 2011 Në ora: 21:26

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar 49 kuti me vota të futura gabimisht në kutitë shumëngjyrëshe gjatë votimit me katër fletë për kryeqytetin në 8 maj. Nga numërimi i deritanishëm kandidati Lulzim Basha ka marrë 72 vota të panumëruara, ndërsa kandidati Edi Rama ka marrë 29 vota. Ky i fundit ishte në njoftimet paraprake 10 vota para rivalit demokrat. KQZ-ja e ka ndërprerë tani punën dhe do ta rifillojë numërimin në orën 17:00.

Jashtë ndërtesës disa qindra protestues kundërshtuan rreth 3 orë procedurat që po ndiqeshin, duke ndryshuar rezultatin. Në prani të deputetëve socialistë, përkrahësit e opozitës u përplasën me forcat e shtuara të rendit, që ruanin hyrjen e KQZ, dhe sipas njoftimeve të policisë, një komandant policie dhe dy policë të thjeshtë u plagosën nga goditjet me sende të forta.

Deputetët socialistë dhe bashkiakët fitues socialistë janë vënë në krye të disa protestave në disa qytete. Sipas njoftimeve të besueshme, ata bllokuan disa orë një urë në Vlorë, rrugën Fier Lushnje me goma të djegura, rrugën Gjirokastër - Tepelenë, Lezhë - Tiranë dhe Durrës - Tiranë. Ashtu si dje, edhe sot kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se revolta e qytetarëve do të vazhdojë ndaj manipulimeve zgjedhore, që sipas tij, po bën KQZ.

Shumica e këtyre grumbullimeve janë tashmë shpërndarë tashmë qetësisht.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Hose Emanuel Barrose njoftoi shtyrjen e vizitës në Tiranë. Zëdhënës të KE-së thanë se qëllimi i vizitës ishte të diskutonte me autoritetet shqiptare të ardhmen europiane të vendit, por në kushtet e numërimit të zgjatur të votave, u mendua që ai të vijë në Tiranë një herë tjetër, kur edhe diskutimet për këtë temë të jenë produktive.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat