Përfundon mbledhja e KQZ nga 89 kuti të hapura 150 vota Basha, 63 vota Rama

Shqipëria

Përfundon mbledhja e KQZ nga 89 kuti të hapura 150 vota Basha, 63 vota Rama

Më: 20 maj 2011 Në ora: 10:05

Nga numërimi i fletëve të kontestuara, të cilat nga Ristani quhen fletë të panumëruara, në 89 kuti votimi, Lulzim Basha ka arritur të sigurojë 150 vota kundrejt 63 të akorduara për Edi Ramën.

* * * * * * *

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) vazhdon sot për të tretën ditë numërimin e fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara, pavarësisht kundërshtimeve të përfaqësuesve të opozitës, të cilët akuzojnë KQZ se po shkel ligjet. Nga numërimi i fletëve të kontestuara, të cilat nga Ristani quhen fletë të panumëruara, në 75 kuti votimi, Lulzim Basha ka arritur të sigurojë 125 vota kundrejt 83 të akorduara për Edi Ramën. SHBA thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri për të respektuar procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.

* * * * * * *

Socialistët mësojnë nga serbët- të parët bllokojnë rrugët në Shqipëri, të dytët bëjnë prita mbi urën e Mitrovicës

Sulmet e tre ditëve të fundit të militantëve socialistë ndaj disa prej akseve kryesore të vendit, kthyen vëmendjen tek gjetja e precedentëve të ngjashëm ndaj këtij skenari të “mos bindjes civile”, ku në kryefjalë qëndron shkelja e ligjit. Pa dyshim që, bllokime rrugësh në shenjë proteste ka në çdo vend të botës, por të tejkalohet afati i lejuar ‘protestues’, përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe se mbi përgjegjësit duhet të rëndojë pesha e vetë ligjit. Në këtë sens, socialistët në Shqipëri dhe serbët në Mitrovicë, duket se kanë arritur në korrespondencë marrëveshjen e binjakëzimit të doktrinës “millosheviciane”, për të aktivizuar kryqëzatat ndaj qeverisë dhe shtetit. Socialistët shqiptarë po bllokojnë akset kryesore të vendit, autostradat, superstradat dhe korridoret e rëndësishme që në momente të caktuara kryejnë shërbime të permanente shkëmbimesh tregtare me vendet fqinje si dhe sigurojnë nevojat më jetike për popullsinë, duke shkaktuar kështu një paralizë të papranueshme, aq sa e ka të pamundur të depërtojë qoftë edhe një auto-ambulancë me një të sëmurë, i cili si domosdoshmëri ka marrjen e menjëhershme të shërbimit mjekësor. Në këtë sens, tek socialistët e rrugës ka vdekur çdo ndjenjë humane, përsa kohë janë duke iu bindur injeksioneve ideologjike të Millosheviçit, Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, për të penguar me çdo kusht përparimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e tyre të vërtetë, atë të integrimit Evropian. Lidhjet e socialistëve me kartelin kriminal të Mugoshës dhe Popoviçit janë sa të hershme aq edhe konkrete. Fakte këto që i njeh shumë mirë historia pluraliste, pasqyrimi i së cilës është bërë në rrugë logjike dhe mbi bazë vërtetësinë. Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha, kanë lënë trashëgimni të pasur përmes zëzonjës Nexhmije Hoxha se, të majtët politikë duhet të marrin mësime nga serbët se si sabotohet ardhmëria euro-atlantike e një kombi progresisht dhe me dinjitet evropian. Ashtu sikurse thoshte Mugosha se “ne serbët i mësuam Enver Hoxhës se si të instalonte kthetrat e komunizmit eksperimental në mënyrë që kombi shqiptar të zhbëhej”, edhe sot e kësaj dite pas-ardhësi i nomeklaturës ‘hoxhiste’, Edvin Rama, merr mësime antishqiptare nga serbët. Këta të fundit kanë shpallur të jashtëligjshme qeverinë e Kosovës dhe bllokojnë sa herë iu mbushet mendja urën që bashkon Mitrovicën...për analogji, edhe njerëzit e Ramës po bëjnë të njëjtën gjë... s’njohin qeverinë dhe përkundrejt kësaj teze “titiste”, bllokojnë autostradat e vendit si dhe shkaktojnë incidente duke dhunuar forcat e rendit. Si përfundim, në Kosovë, paralajmërimet janë të natyrës që, nxitësit e akteve të dhunës, të cilët cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit, do marrin përgjigjen e menjëhershme të drejtësisë. Të njëjtin apel shpresojmë edhe ndaj huliganëve socialistë, të cilët prej 3 ditësh gjenden si post-bllok në disa prej akseve kryesore të vendit.

* * * * * * *

KQZ shtyn mbledhjen për në orën 18:00

Ora 15:50- KQZ ka numëruar edhe një kuti tjetër, nga e cila dy vota i ka marrë Rama dhe 2 Basha. Pas mbylljes së kësaj kuti KQZ-ka mbyllur mbledhjen për një pushim, për ta rinisur në orën 18:00. Në total janë numëruar 75 kuti, nga të cilat Basha ka marrë 125 vota dhe Rama 83.

* * * * * * *

Protesta para KQZ-së, deputetët e PS-së: Mazhoranca po vjedh votat

Deputetët e Partisë Socialiste po mbajnë fjalime para protestuesve të cilët janë mbledhur në afërsi të godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Deputeti socialist Namik Dokle në fjalën e tij theksoi se opozita nuk do të lejojë që “Shqipëria të shkojë në greminë”.

“Do mbrojmë votën tonë. Nuk ka rrugë tjetër. Fitorja është e jona nuk ka kush të na e vjedhë as Ristani e as Berisha.. Ne do të rezistojmë për votën”, tha Dokle duke shtuar se fletët e hedhura në kutitë e gabuara janë të pavlefshme dhe nuk mund të numërohen si pjesë e rezultatit. “Ne duhet të rezistojmë për veten tonë, fëmijët tanë dhe gjithë Shqipërinë”, shtoi më tej Dokle

Ndërsa deputeti i PS-së Blendi Klosi theksoi se mazhoranca po vjedh votat e qytetarëve pasi të gjithë e panë mirë se kush i fitoi zgjedhjet.

Gjithashtu deputeti Klosi tha se opozita nuk po bën një betejë për mandatin e kryetarit të PS-së, por për gjithë vendin.

“E gjithë Shqipëria sot duhet të jetë në protestë, ne jemi me të drejtën, duam të shpllet ligjshmëria. Po sot cfarë thonë injorantët e KQZ? Në spote thonë se vota e hedhur në kuti të gabuar nuk do të numërohëet, ndërsa sot thonë gjë tjetër. Ne nuk mund t`i lejojmë”, tha Klosi.

Ndërsa deputeti Saimir Tahiri deklaroi se dje janë rrahur barbarisht nga policia dy protestues, të cilët nuk kishin bërë asnjë shkelje.

“Dy miqtë tanë janë rrahur barbarisht nga policia, sepse protestuan bashkë me ne. Shpirti ynë sot është me ata në spital. Ata që guxuan dhe vunë dorë mbi dy vëllezërit, ta mbajnë mend mirë se do japin llogari nesh dhe para ligjit”, tha Tahiri.

* * * * * * *

Ka nisur protesta e opozitës para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Qindra protestues të Partisë Socialiste (PS) janë vendosur në rrugën midis Pallatit të Kongreseve dhe Stadiumit “Qemal Stafa”.

Forca të shumta policie janë vendosur para godinës. Disa kordonë me forca të rendit qëndrojnë përballë derës kryesore, ku dhe presioni i protestuesve për të hyrë është më i madh.

Deri në në orën 10:30 nuk janë shënuar incidente. Ndërkohë që organizatorët e protesës janë në pritje të shtimit të numrit. Sipas policisë, gjatë ditës së djeshme u lënduan 5 policë nga protestuesit.

* * * * * * *

Tiranë: Ka nisur mbledhja e KQZ-së

Ka nisur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ku do të vijojë numërimi i fletëve të kontestuara të cilat janë gjetur në kutitë e gabuara.

Përfaqësuesi ligjor të Partisë Socialiste (PS), deklaroi se ka ndërhyrje në kutitë me fletët e kontestuara ku shpeshherë ka pasur ndërrim të kodeve dhe janë vendosur fletë të tjera votimi në to.

“Kjo nuk është transparencë pasi nuk dihet se si janë administruar këto kuti”, theksoi përfaqësuesi i PS-së.

Ndërsa kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka theksuar se kutitë kanë ardhur të rregullta nga KZAZ-të duke pasur edhe kodet e sigurisë dhe janë mbajtur edhe procesverbale për to.

Deri dje në mbrëmje, KQZ ka numëruar 53 kuti nga 65 gjithsej, duke lënë për rifillimin e procesit të numërimit të 12 kutive te tjera, ku ndodhen fletë votimi të kontestuara.

Nga numërimi rezultuan 80 vota në favor te kandidatit të mazhorancës Lulzim Basha kundrejt 31 votave në favor të kandidatit socialist për bashkinë e kryeqytetit Edi Rama.

Gara për bashkinë e Tiranes, prej ditësh po reflekton tension, që lidhet me rezultatin përfundimtar të saj.

Opozita e ka shoqëruar me protesta gjithë veprimtarinë e KQZ, jo vetëm jashtë dyerve të këtij institucioni, i cili prej ditësh është nën mbrojtjen e forcave të shumta policore, por dhe në disa qytete të vendit.

>>KQZ: 80 vota Basha, ndërsa 31 Rama

>> Përmbyset rezultati- Lulzim Basha kryeson me 22 vota diferencë ndaj rivalit të tij, Edi Rama

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat