PS padit KQZ-në në Kolegjin Zgjedhor

Shqipëria

PS padit KQZ-në në Kolegjin Zgjedhor

Më: 20 maj 2011 Në ora: 21:33

Partia Socialiste (PS) ka paditur sot në Kolegjin Zgjedhor Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për tejkalimin e afatit të shpalljes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës si dhe për mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ Nr.49 që i përket njësisë nr. 5.

Në ankimimin e përgatitur nga deputeti Fatmir Xhafaj thuhet se: “Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga dhjetë KZAZ të kësaj Zone Zgjedhore janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ Nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë duke marrë Vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 për mos miratimin e saj. Në këto kushte, në zbatim të parashikimeve të nenit 122 e 35 të Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste, si subjekt zgjedhor ka paraqitur ankim në KQZ. “Eshtë ligjërisht e detyrueshme të urdhërohet KQZ që së bashku me miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, të marrë vendim edhe për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki në bazë të rezultateve të miratuara”, thuhet në kërkesë padinë e PS.

Në këtë mënyrë, Partia Socialiste i kërkon Kolegjit Zgjedhor të ndërhyje për të ndalur të gjithë procedurën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shndërruar në një KZAZ, çka përfshin edhe anulimin e numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara.

Arsyetimi i juristëve socialistë në padinë e tyre ka qenë tejkalimi i afatit të shpalljes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës si dhe për mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ Nr.49 që i përket njësisë nr. 5.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat