Drita e parë e autostradës së bashkimit kombëtar

Shqipëria

Drita e parë e autostradës së bashkimit kombëtar

Nga: Bota sot (Tiranë) Më: 25 maj 2009 Në ora: 17:03

Kalimash –Shqipëri-Tani kur është bashkuar njëri tunel, pritet që së shpejti brenda qershorit të bëhet edhe përurimi i rrugës që ka një gjatësi 170 kilometra nga Durrësi deri në Morinë. Rruga do te mundësojë një lidhje të shpejtë mes Prishtinës dhe brigjeve shqiptare për me pak se 3-ore.

Autostrada shqiptare Durrës-Kukës- Morinë dita ditës po bëhet realitet. Kështu në orën 6-të të mëngjesit të ditës së hënë, 25 maj, për herë të parë janë bashkuar dy anët e njërit tunel në Kalimash të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Tuneli është me një gjatësi 5.6 kilometra, lartësi 10 metra dhe gjerësi 13 metra. Galeria e dytë e tunelit po me këto përmasa pritet të përfundojë në shtator të këtij viti. Puna për hapjen e tunelit ka filluar pikërisht e 25 maj të vitit 2007 nga kompania amerikane “Bektel” dhe kompania nënkontraktuese turke “Enka”. Kompania “Bektel’Enka” ka rritur ritmet e punimeve edhe në sektorë të tjerë, si përfundimi i 27 urave me një gjatësi prej më shume se 5 kilometra në gjithë segmentin e rrugës prej 60.4 kilometrash, Rrëshen-Kalimash. Kjo kompani gjatë dy viteve të fundit kishte punësuar rreth 4 mijë punonjës, duke vënë në funksion 1-mijë e 300 mjete të llojeve të ndryshme.

Rruga Durrës-Kukës- Morinë, një projekt ky i Qeverise shqiptare është vepra më e madhe inxhinierike në Shqipëri. Një vit me pare, gjate inspektimit të punimeve në këtë tunel, kryeministri Sali Berisha u shpreh se, “mendimi i parë që të vjen në mendje është se malet nuk ndajnë më kombin, nuk i ndajnë më shqiptaret. Udhëtimi tek tuneli të rikujton legjendat e shkrirjes se maleve, pasi këto janë punime të përmasave gjigande, të cilat kanë bërë që aorta e shqiptareve të mbarte një famë në mbarë Evropën, si kryevepër e njeriut”.

Tani kur është bashkuar njëri tunel, pritet që së shpejti brenda qershorit të bëhet edhe përurimi i rrugës që ka një gjatësi 170 kilometra nga Durrësi deri në Morinë. Rruga do te mundësojë një lidhje të shpejtë mes Prishtinës dhe brigjeve shqiptare për me pak se 3-ore.

Ideja për ndërtimin e autostradës shqiptare është dhënë për herë të parë nga presidenti i Kosovës dr.Ibrahim Rugova. Ai ka propozuar që kjo autostradë të lidhë shqiptarët e dy shteteve Shqipërisë dhe Kosovës dhe kështu kjo rrugë të shndërrohet në një arterie të rrymimit shqip, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe të lidh edhe vendbanimet e tjera etnike shqiptare. Kjo autostradë është paraparë që të vazhdohet edhe në Kosovë, për në drejtim të Merdares. Me këtë rast, kjo autostradë do të shndërrohej në një “via Egnatia” e shekullit të ri në rajonin e Ballkanit.

Austostrada Durrës-Kukës-Morinë do të bashkojë jo vetëm territoret shqiptare por do të jetë një dalje e rajonit të Ballkanit në Detin Adriatik dhe më tutje në Evropë.

Por përderisa Shqipëria tashmë është në fazën e realizimit të plotë të këtij projekti gjithëkombëtar, Republika e Kosovës ende është në fazën e projektimit ideor dhe legjislativ të pjesë së autostradës që kalon nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat