Shqipëri: Paga të reja për 10 mijë policë të shtetit

Shqipëria

Shqipëri: Paga të reja për 10 mijë policë të shtetit

Më: 22 qershor 2009 Në ora: 12:16

Tiranë-Punonjësit e policisë së Shtetit në të gjitha nivelet do të përfitojnë rritje pagash nga data 1 maj. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rritjen e pagave më shumë se 13 mijë uniformave blu në të gjithë vendin. Rritja e pagave do të bëhet sipas katër niveleve nga ai i zbatimit, ku bëjnë pjesë nëninspektorët, inspektorët dhe kryeinspektorët, tek nënkomisarët, komisarët dhe drejtuesit e mesëm e të lartë. Kështu nëninspektorët nga data 1 maj kanë një pagë bazë për gradë prej 33,600 lekësh në muaj, nga 32 mijë lekë që ishte deri tani. Inspektorët do të përfitojnë një pagë mujore prej 37 mijë lekësh në muaj, ose 2500 lekë më shumë. Në nivelin e zbatimit, kryeinspektorët do të përfitojnë pagën më të lartë, për shkak të gradës. Ata do të përfitojnë një pagë mujore prej 42 mijë lekësh çdo muaj, nga 39 mijë lekë që merrnin më parë. Pagave bazë për gradë do t'iu shtohen edhe shtesat për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi, si njësi operative e vëzhgimi, specialistë të policisë në zonë, ku për këto funksione shtesa në pagë do të jetë 5500 deri në 6500 në muaj. Ndërsa për funksione të forcës së posaçme dhe oficerë të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda shtesa në pagë arrin deri në 17,500 lekë në muaj. Për punonjësit e nivelit të zbatimit që ushtrojnë detyrën në funksione të sigurisë publike si policia rrugore, qendra e emergjencave e sallave operative, ruajtja e siguria e objekteve, në funksione ndalim paraburgimi, në funksione organike të Policisë Kufitare & Migracionit do të ketë një shtesë në pagë nga 5500 deri në 6500 lekësh në muaj. Punonjësit e nivelit të parë drejtues ku përfshihen nga nënkomisarët tek kryekomisarët do të kenë paga që variojnë nga 51 mijë deri në 81 mijë lekë në muaj, si dhe shtesat e natyrës së veçantë të punës dhe shërbimit. Nënkomisarët do të kenë një pagë mujore prej 51 mijë nga 48,300 lekësh në muaj. Komisarët nga 54,250 lekë në muaj do të marrin 56 mijë lekë. Paga bazë për gradën "Kryekomisar" do të jetë 81 mijë lekë në muaj, deri tani kjo gradë kishte një pagë mujore prej 80,900 lekësh. Drejtuesit e nivelit të mesëm në polici do të përfitojnë një pagë bazë për gradën që mbajnë prej 93 mijë lekësh në muaj, ose 600 lekë më shumë. Ndërsa për drejtuesit e parë të Policisë së Shtetit paga bazë për gradën që mbajnë do të jetë 96 mijë lekë në muaj, ose dy mijë lekë më shumë se aktualja. Në vendim është bërë edhe një shtesë e cila u jep mundësi të gjithë punonjësve të policisë, që pranohen në shkollën bazë të policisë që gjatë kohës së shkollimit të përfitojnë në masën 60 për qind të pagës së gradës "Nëninspektor", kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 100 për qind të pagës së po kësaj grade, kur ka përfunduar arsimin e lartë. Kjo gradë ka një agë bazë prej 33,600 lekësh në muaj. Në këtë kontekst, Qeveria ka miratuar tarifat e reja të kompensimit për të gjithë ushtarakët, të cilët jetojnë dhe punojnë larg vendbanimeve të tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat