Një tërmet i fuqishëm trondit Shqipërinë

Shqipëria

Një tërmet i fuqishëm trondit Shqipërinë

Më: 7 shtator 2009 Në ora: 08:54

Shtabi i Emergjencave Civile garanton se janë marrë të gjitha masat për të ndihmuar me materiale dhe ushqime banorët e dëmtuar.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me drejtues të pushtetit vendor, po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në qarkun e Dibrës.

Aktualisht mësohet se është gati ndihma që do të nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar. "Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion edhe dy helikopterë për transportin e ndihmave për banorët e kësaj zone"- thonë të njëjtat burime.

Të dhënat paraprake për pasojat e tërmetit raportojnë për dëme materiale, por jo njerëz të lënduar. "Janë konstatuar disa shtëpi të dëmtuara plotësisht në komunën e Gjoricës dhe Ostrenit si dhe dëmtime të rënda e të lehta në disa banesa në komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht, në qarkun e Dibrës"- thanë burimet ministrore. Zyrtarisht konfirmohet se dje në orën 23: 49 u regjistrua një tërmet i fortë me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter, me epiqendër në koordinatat 41.51 veri dhe 20.50 lindje, koordinata këto që i përkasin zonës midis fshatrave Shupenzë dhe Gjoricë e Sipërm, të Qarkut të Dibrës. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë në zonën veriore si dhe atë të qendrore të vendit, përfshi Tiranën.

Ndodhia

Një tërmet i fuqishëm tronditi mbrëmë pak përpara mesnatës Shqipërinë. Sipas shërbimit sizmiologjik shqiptar, tërmeti është regjistruar në orën 23.49 minuta dhe goditja ka qenë 5.4 gradë të shkallës Richter me intensitet 7 ballë në epiqendrën e tij që ka qenë fshati Gjoricë në zonën e Dibrës në verilindje të Shqipërisë. Lëkundjet janë ndjerë të fuqishme dhe në kryeqytet.

Sipas të dhënave të para tërmeti ka shkaktuar disa dëme të vogla materiale. Autoritetet vendore të Dibrës kanë njoftuar shembjen vetëm të dy shtëpive por pa shkaktuar dëme në njerëz. Ato kanë konfirmuar megjithatë se banorët e fshtarave pranë epiqendrës janë përfshirë nga paniku dhe për një kohë të gjatë pas tij kanë qëndruar jashtë banesave të tyre, për shkak të frikës së përsëritjes se tërmetit e duke qene se ne disa prej shtepive ka patur krisje te mureve.

Lëkundja e parë e cila ka zgjatur për afër 15 sekonda, është pasuar nga lëkundje të tjera të paktën deri në orën 2 të mëngjesit. Shërbimi sizmiologjik ka regjistruar të paktën edhe 60 lëkundje të tjera intensiteti i së cilave ka ardhur në rënie. Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha do të mbërrijë gjatë drekës në zonat e prekura nga tërmeti në verilindje të vendit.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se disa shtëpi janë të dëmtuara plotësisht në Ostres dhe Gjoricë, ndërsa thekson se shumë banesa të tjera kanë dëmtime të mëdha. Kjo ministri tashmë ka gati ndihmat për banorët me ushqimet dhe materiale të tjera. Për këtë arsye, dy helikopterë do të jenë në dispozicion për të transportuar ndihmat.

“Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale ka gati të gjithë ndihmën që do të nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar. Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion dy helikopterë për transportin e të gjitha ndihmave që do të nevojiten”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat