Berisha publikoi emrat e 15 ministrave të rinj

Shqipëria

Berisha publikoi emrat e 15 ministrave të rinj

Nga: Bota sot, Tiranë Më: 10 shtator 2009 Në ora: 01:01

Kryeministri Berisha prezantoi dje përbërjen e kabinetit të ri qeveritar që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Pas zgjedhjes së Kryetares të Parlamentit, Presidentit të Republikës iu dërgua propozimi i PD për emërimin e kryeministrit dhe Presidenti e dekretoi atë brenda ditës së djeshme. Pas dekretimit, kryeministri Berisha njohu publikun me emrat e kabinetit të ri qeveritar që do t`i propozohen Presidentit të Republikës për dekretim gjatë ditës së sotme. Në një konferencë të posaçme për shtyp, kryeministri informoi se posti i zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme do të mbahet nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, të cilin e vlerësoi si një politikan me një karrierë të gjatë në politikë, nga dhjetori i vitit `90 deri më sot. Kryeministri vlerësoi se, Meta në qeveritë e mëparshme të spektrit të majtë ka kryer detyra të rëndësishme, ndër të cilat detyrën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Më tej, kryeministri theksoi se në postin e ministrit të Drejtësisë propozohet Bujar Nishani. Ai e vlerësoi Nishanin si një nga politikanët dhe ministrat më të suksesshëm, si dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë gjatë gjithë këtyre viteve. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij më të thellë për Enkelejd Alibeajn, me të cilin, siç tha kryeministri, bashkëpunimi do të vazhdojë. Ridvan Bode do të vazhdojë të mbajë postin e ministrit të Financave. Duke u ndalur në vlerësimin e punës së tij katërvjeçare në krye të këtij dikasteri, Berisha tha se financat e vendit kanë pësuar transformimin më të thellë nën udhëheqjen që Bode i ka bërë kësaj ministrie. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se një perspektivë e madhe e reformave në këtë sektor ekziston, duke vënë në dukje se reforma fiskale do të thellohet edhe më tej për ta bërë sistemin fiskal jo vetëm më të lehtin, por edhe më të mirin. Lulzim Basha, i cili më parë mbante postin e ministrit të Jashtëm, do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Duke vlerësuar kontributin e tij në krye të diplomacisë shqiptare, kreu i qeverisë tha se ardhja e Bashës në krye të Ministrisë së Brendshme bëhet në një moment shumë të rëndësishëm për procesin e liberalizimit të vizave. Bashkë me zotin Meta, tha kryeministri, ata do të jenë lojtarët më kryesorë në procesin e heqjes së vizave për Shqipërinë. Kështu, kryeministri theksoi se reformat në politikën e shtetit dhe në qeverisjen vendore janë të një garancie shumë të madhe. Duke vijuar më tej me emrat e ministrave të rinj, kreu i qeverisë njoftoi se Ministria e Bujqësisë do të drejtohet nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Kryeministri ka vlerësuar maksimalisht kontributin e Genc Rulit gjatë drejtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, duke nënvizuar veçanërisht faktin se një dimension të madh gjatë drejtimit të Ministrisë së Ekonomisë nga Ruli mori partneriteti publik-privat. Ai theksoi se, privatizimet e mëdha kanë qenë një nga objektivat kryesorë të kësaj qeverie dhe sot i përkasin mandatit që shkoi, sepse ato tashmë janë realizuar. Me këtë rast kryeministri shprehu falënderimin e tij të sinqertë për ish-ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në krye të kësaj ministrie. Më tej, kryeministri theksoi se në postin e ministrit të Mbrojtjes do të emërohet Arben Imami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe ish-nënkryetar i kësaj partie. Kryeministri shprehu mirënjohjen për lidershipin që dëshmoi Gazmend Oketa në një nga periudhat më të rëndësishme të Forcave të Armatosura, reforma të cilat bënë të mundur anëtarësimin në NATO. Ai shtoi më tej se, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës do të drejtohet nga deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, të cilin kreu i qeverisë e vlerësoi si një nga ekonomistët më të mirë të vendit, por edhe një nga politikanët me integritet të lartë. Sokol Olldashi rikonfirmohet në postin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Duke vlerësuar punën intensive në transformimin e infrastrukturës së vendit, kryeministri shprehu bindjen se në vitet që vijnë qeveria do të realizojë qëllimin e saj të madh, një sistem të ri rrugor.

Përfaqësimi i minoritetit në qeveri, i rëndësishëm

Në postin e ministrit të Punës dhe Shanseve të Barabarta, kryeministri njoftoi emërimin e deputetit të zgjedhur në zonat minoritare, Spiro Ksera. Kryeministri vlerësoi se formimi i kabinetit të ri qeveritar nuk do të ishte i plotë pa përfaqësimin e minoritetit grek. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë nënvizoi se deputeti Ksera dha një kontribut real në zgjedhjet e 28 qershorit dhe është një parlamentar i mandatuar nga minoritetet. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se në postin e ministrit të Kulturës do të emërohet Ferdinand Xhaferri. Duke shprehur bindjen se kjo ministri do të drejtohet me kompetencë, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e Ardian Turkut gjatë drejtimit të kësaj ministrie. Në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, kryeministri emëroi Myqerem Tafajn, të cilin e vlerësoi si njeriun që ka hartuar reformën e sistemit arsimor në Shqipëri, duke dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme përsa i përket reformimit të arsimit. Kryeministri shprehu vlerësimet dhe falënderimet për Fatos Bejën gjatë drejtimit të kësaj ministrie, duke shprehur gatishmërinë e përhershme për të bashkëpunuar.

Bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha partitë aleate

Gjatë prezantimit të kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu në postin e ministrit të Mjedisit, kreu i qeverisë shprehu bindjen se kjo ministri do të drejtohet me aftësi e përkushtim. Nga ana tjetër, kryeministri falënderoi me mirënjohje edhe ish-ministrin Xhuveli, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij për katër vitet që shkuan, gjatë të cilave u ndryshua tërësisht gjendja e mjedisit në Shqipëri. Kryeministri theksoi se, bashkëpunimi me Partinë Agrare do të vazhdojë në interesin më të mirë të dy forcave politike dhe të mbarë vendit. Në vijim, kryeministri theksoi se në postin e ministrit të Shëndetësisë do të jetë Petrit Vasili. Duke vlerësuar figurën e Vasilit, kryeministri theksoi se ai ka një eksperiencë të mëparshme në këtë dikaster dhe është një mjek i përkushtuar. Kryeministri garantoi se me ministrin e ri, Vasili, do të shënohen ndryshimet më të mëdha dhe më të thella në sistemin shëndetësor. Kjo reformë, tha kryeministri, mbetet përparësi madhore për qeverinë.

Krijohet posti i ministrit të Shtetit për reformat dhe marrëdhëniet me Kuvendin

Pranë Këshillit të Ministrave do të funksionojë edhe ministria e Shtetit për reformat dhe marrëdhëniet me Kuvendin, post i cili do të mbahet nga ish-zëvendëskryeministri Genc Pollo. Kryeministri vlerësoi kontributin e Pollos gjatë këtyre viteve si zv/kryeministër. Në këtë kontekst, kryeministri tha se Pollo ka qenë një forcë shumë e rëndësishme e reformave në vend në fusha të ndryshme. "Do të vazhdojë këto sikundër do të mbajë lidhjet e qeverisë me Parlamentin", tha kryeministri. Gjithashtu, kryeministri theksoi se në postin e ministres së Integrimit rikonfirmohet Majlinda Bregu. Sipas kryeministrit, Bregu është një avokate e arritjeve të këtij vendi, por edhe një koordinatore e guximshme e problemeve që kanë të bëjnë me integrimin. Kryeministri shprehu bindjen se kjo qeveri e integrimit do t'i përmbahet premtimeve të qeverisë për një Shqipëri europiane. "Ky është kabineti dhe këto janë propozimet që unë nesër do t`i propozoj Presidentit të Republikës. Jam përpjekur të bëj përzgjedhjen më të mirë, por ishte e vështirë për shkak të personaliteteve të shumta që kanë hyrë në këtë Parlament, nuk mund të them se kam arritur të përsosurën. Kjo qeveri e integrimit europian do të japë kontributin e saj për një Shqipëri europiane në përputhje me zotimin tonë", u shpreh kryeministri. Në përfundim të fjalës së tij kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm t`u përghjigjet pyetjeve të gazetarëve por u kujtoi se në ato momente po luhej një ndeshje futbolli e komnbëtares, të cilës i shprehu urime për fitore.

Kabineti i ri qeveritar

Kryeministri Sali Berisha

zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta

ministri i Shtetit Genc Pollo

ministri i Brendshëm Lulzim Basha

ministri i Financave Ridvan Bode

ministri i Drejtësisë Bujar Nishani

ministri i Mbrojtjes Arben Imami

ministri i Integrimit Majlinda Bregu

ministri i Mjedisit Fatmir Mediu

ministri i Bujqësisë Genc Ruli

ministri i Ekonomisë Dritan Prifti

ministri i Transporteve Sokol Olldashi

ministri i Arsimit Myqerem Tafaj

ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri

ministri i Punëve Sociale Spiro Ksera

ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat