OSBE/ODIHR rrëzon Ramën: S'ka prova për manipulimin

Shqipëria

OSBE/ODIHR rrëzon Ramën: S'ka prova për manipulimin

Më: 15 shtator 2009 Në ora: 01:07

Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri u zhvilluan në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Ky është përfundimi i raportit final të misionit të vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Raporti vlerëson se zgjedhjet shënuan një progres të dukshëm krahasuar me proceset e mëparshme elektorale, duke e vënë theksin veçanërisht në përmirësimet në regjistrimin dhe identifikimin e votuesve dhe në Kodin Zgjedhor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore. Vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu vlerësojnë se procesi i votimit dhe ai i numërimit të votave u zhvillua në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ky proces, thuhet në raport, përmbushi shumicën e angazhimeve të OSBE-së, ndërsa thekson se suksesi i procesit varet kryesisht nga angazhimi i partive politike në Shqipëri për të respektuar ligjin dhe për të kryer detyrimet e tyre elektorale në mënyrë të përgjegjshme, me qëllim që të ruhet integriteti i procesit. Raporti rrëzon si të pabazuar çdo pretedim për parregullsi në procesin e numërimit të votave apo për manipulimin e rezultatit zgjedhor, duke nënvizuar se nuk pati asnjë dëshmi apo provë për këtë. "Nuk pati dëshmi për parregullsi në procesin e numërimit apo për manipulimin e rezultateve në Qendrat e Numërimit të Votave, pavarësisht bllokimit të numërimit në disa KZAZ", thuhet në raportin final të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Më tej, raporti vlerëson votimin unanim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për tabelën përfundimtare të rezultateve dhe shpërndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit. Një tjetër fakt që vlerësohet pozitivisht në raport është reduktimi i ndjeshëm i numrit të ankimimeve paszgjedhore, të cilat ranë në 34 nga më shumë se 100 që ishin në zgjedhjet e kaluara. "Numri i ankimimeve postzgjedhore i depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u reduktua jashtëzakonisht krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndryshimi i tabelës së rezultateve për zonat elektorale pas ankimimeve u votua nga të gjithë anëtarët e KQZ-së. Vendimi për shpërndarjen e vendeve në Parlament për 12 qarqet e vendit dhe deklarimi i rezultatit përfundimtar u votua gjithashtu në mënyrë unanime nga anëtarët e KQZ-së", nënvizon më tej raporti, i cili saktëson se pesë vendime të KQZ-së që lidhen me ankimimet u rrëzuan nga Kolegji Zgjedhor. "Në total u depozituan 12 ankimime kundër këtyre vendimeve, nga të cilat një u depozitua nga KQZ. Seancat e Kolegjit Zgjedhor u zhvilluan në mënyrë profesionale dhe marrja e vendimeve ishte mëse e shpejtë", vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë në raportin përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri. Gjithashtu, raporti vlerëson se Kodi i ri Zgjedhor përmbante disa rekomandime të ofruara më parë nga OSBE/ODIHR dhe solli përmirësime të ndjeshme. "Në përgjithësi, kuadri ligjor siguron qëndrueshmëri teknike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike", nënvizon raporti, ndërsa thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht disa momenteve ngërçi, e përgatiti dhe e administroi procesin në mënyrë profesionale dhe ndërmori disa hapa për rritjen e transparencës së procesit.

Komisionet

Komisionet e Qendrave të Votimit u ngritën shumë vonë, duke rrezikuar trajnimin e anëtarëve të tyre. Një zhvillim shumë pozitiv ishte fakti se lista e zgjedhësve për herë të parë u hartua nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i kompjuterizuar dhe jo nga regjistrat themeltarë, siç bëhej më parë. Raportimet e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it ditën e zgjedhjeve dëshmojnë se cilësia e listave të zgjedhësve është përmirësuar jashtëzakonisht krahasuar me procesin zgjedhor të 2005. Një tjetër projekt i qeverisë ishte lëshimi i kartave të sigurta të identitetit për çdo qytetar. Prioritet në pajisjen me dokumentin e patën 730 mijë votues, që nuk kishin një pasaportë të vlefshme për jashtë shtetit apo ndonjë dokument tjetër të vlefshëm për të votuar. Fushata për shpërndarjen e kartave të identitetit ishte përgjithësisht e suksesshme dhe krijoi një sfond për një sistem të qëndrueshëm për identifikimin e votuesve. Nga 1.4 milionë shtetas që aplikuan për karta identiteti, të gjithë u pajisën me këtë dokument para datës së votimit, përveç 3 321 shtetasve. Rreth 257 mijë qytetarë pa pasaporta nuk aplikuan për dokumentin e ri.

Fushata

Megjithëse zgjedhjet u zhvilluan në një ambient politik shumë të polarizuar, fushata ishte kryesisht e qetë me vetëm disa incidente të vogla. Të 34 partitë që kandidonin në këto zgjedhje ishin të lira të bënin fushatë në çdo cep të vendit. Në disa raste fushata errësohej nga përdorimi i gjuhës së ashpër. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, përdori evenimentet zyrtare për të bërë fushatë për Partinë Socialiste.

Media

Shqipëria ka një numër të madh mediash elektronike dhe të shkruar, të cilat konkurrojnë për të ardhura të kufizuara nga reklamat dhe përgjithësisht janë në varësi të bizneseve që i subvencionojnë ato. Kjo, e kombinuar me ndërhyrjen në politikat editoriale nga politikanë dhe interesa biznesi, ka një ndikim të ndjeshëm në pavarësinë e medias. Kodi Elektoral përfshin rregullime të detajuara për mbulimin e fushatës në lajme dhe në emisione politike, si dhe kohën me dhe pa pagesë në televizionet publike dhe private. Gjatë 30 ditëve të fushatës mbulimi sasior për dy partitë e mëdha ishte më i balancuar. Megjithatë, të gjithë operatorët e monitoruar shfaqën njëanshmëri drejt PD apo PS, gjë që reflektohej në tonin e mbulimit që ata i bënin fushatës. Sipas informacionit të marrë nga gazetarët, mbulimi i fushatës u reduktua në shpërndarjen e regjistrimeve apo komenteve të prodhuara nga vetë partitë politike.

Përfaqësimi gjinor

Dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor sanksionuan një përfaqësim të grave deri në 30% në listat e kandidatëve për deputetë. Shumë lista iu rikthyen partive për shkak se kushti për përfaqësimin gjinor nuk ishte përmbushur në masën e duhur. Kërkesa rezultoi në rritjen e grave të zgjedhura në Parlament krahasuar me zgjedhjet e vitit 2005.

Përfaqësimi i minoriteteve

Disa parti që përfaqësojnë minoritetet morën pjesë në zgjedhje. Nga lista e PBDNJ-së, që përfaqëson minoritetin grek, fitoi vetëm një kandidat, ndërkohë që pati përfaqësime të minoritetit grek edhe në listat e kandidatëve të PD dhe PS.

Transparenca

Lidhur me transparencën e këtyre zgjedhjeve u akredituan mbi 6 000 vëzhgues vendorë jo-politikë nga 16 organizata joqeveritare, përfshirë këtu edhe 6 OJF, që akredituan mbi 2300 vëzhgues. Dy organizata joqeveritare shqiptare nxorën rezultate paralele. Ankimimet gjatë periudhës post-zgjedhore u trajtuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor në mënyrë profesionale, duke u dhënë fund mosmarrëveshjeve.

Dita e zgjedhjeve

Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore. Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit pozitivisht në 92% të qendrave të votimit, por vërejtën disa shkelje proceduriale. Si problematike u konstatuan votimi familjar dhe disa përpjekje për të ndikuar tek zgjedhësit. Mbyllja e qendrave të votimit u vlerësua pozitivisht, me disa probleme proceduriale. Vëzhguesit konstatuan mangësi proceduriale, të cilat vinin kryesisht nga mungesa e trajnimit të anëtarëve të grupeve të numërimit. Sistemi elektronik i monitorimit me kamera, ku çdo votë vendosej në një video kamera dhe u tregohej vëzhguesve në ekrane të mëdhenj disa metra larg nga qendrat e votimit, e rriti besueshmërinë në transparencën e procesit. Pavarësisht disa ngjashmërive me procesin e mëparshëm, pati një progres të dukshëm në administrimin e procesit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kryesisht në marrjen e materialeve zgjedhore, transmetimin elektronik tw rezultateve nga KZAZ-të dhe shpallja e rezultateve paraprake. Nuk pati dëshmi për parregullsi në procesin e numërimit apo për manipulimin e rezultateve në Qendrat e Numërimit të Votave, pavarësisht bllokimit të numërimit në disa KZAZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori rezultatet për 12 qarqet bazuar në tabelat e transmetuara nga KZAZ-të dhe i miratoi ato me shumicë të thjeshtë. Rezultati i nxjerrë nga KQZ nuk përfshinte rezultatet e 33 qendrave votimi, pesë prej të cilave nuk u hapën ditën e votimit, ndërsa 28 të tjera nuk u numëruan apo rezultati i tyre nuk u përfshi në tabelën e KZAZ-ve përkatëse. Rezultati nga të gjitha këto 28 qendra votimi u përfshi pas ankimimeve paszgjedhore në KZQ. Numri i ankimimeve postzgjedhore i depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u reduktua jashtëzakonisht krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndryshimi i tabelës së rezultateve për zonat elektorale pas ankimimeve u votua nga të gjithë anëtarët e KQZ-së. Vendimi për shpërndarjen e vendeve në Parlament për 12 qarqet dhe deklarimi i rezultatit përfundimtar u votua gjithashtu në mënyrë unanime nga anëtarët e KQZ-së. Pesë vendime të KQZ-së që lidhen me ankimimet u rrëzuan nga Kolegji Zgjedhor. Në total u depozituan 12 ankimime kundër këtyre vendimeve, nga të cilat një u depozitua nga KQZ. Seancat e Kolegjit Zgjedhor u zhvilluan në mënyrë profesionale dhe marrja e vendimeve ishte mëse e shpejtë.

Rekomandime

Partitë politike duhet të demonstrojnë vullnetin politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, që lidhen me privilegjet që ata mbajnë me ligj lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve. Ata duhet të kryejnë detyrimet e tyre në mënyrë të përgjegjshme për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për performancën e komisionerëve të zgjedhjeve dhe zyrtarëve të zgjedhur e të emëruar në të gjitha nivelet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat