Berisha: Forcohen lidhjet Shqipëri-Kosovë

Shqipëria

Berisha: Forcohen lidhjet Shqipëri-Kosovë

Nga: Bota sot, Tiranë Më: 9 tetor 2009 Në ora: 11:51

Berisha tha se kjo është lidhja më me interes për portet shqiptare.Ai tha se lidhja hekurudhore me Kosovën ka rëndësi të jashtëzakonshme, në veçanti pas ndërtimit të portit të Vlorës, i cili për efiçencën e tij të plotë kërkon lidhjet më të fuqishme hekurudhore me rajonin, me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Pershtypjet rreth vizitës në Kosovë

Kryeminisri Sali Berisha siguroi se "qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që mes Shqipërisë dhe Kosovës të vendoset shkalla më e ngushtë e bashkëpunimit dhe standardet që ekzistojnë mes vendeve anëtare të BE-së". Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë informoi mbi vizitën e tij dyditore në Kosovë, si dhe mbi projektet e mëdha infrastrukturore që do të ndërmarrë qeveria shqiptare për të forcuar lidhjet mes dy vendeve. "Kësaj here mu krijua përshtypja sikur po udhëtoja në mrekullinë shqiptare, pasi gjeta në Kosovë vlerat e mëdha të krijuara nga kombi shqiptar dhe shtyllat solide për të ardhmen e Kosovës, të cilat janë vendosur në një kohë të shkurtër 20 mujore", tha Kryeministri Berisha. Duke informuar mbi takimet intensive me autoritetet më të larta të Kosovës, Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se "me Kryeministrin HashimThaçi u ra dakord për intesifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne nënshkruam marrëveshje shumë të rëndësishme për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, luftën kundër kriminalitetit dhe marrëveshje të tjera, si dhe ramë dakord që të punojmë intesivisht për finalizimin e një kuadri ligjor bashkëpunimi më të gjerë dhe të standardeve më të mira europiane", tha Kryeministri Berisha. Duke siguruar se bashkëpunimi do të shtrihet në të gjitha fushat, Kryeministri u shpreh se Kosova është një vend në ndërtim, me një gjallëri të pamohueshme me një dinamizëm ekonomik, por për fat të keq eshtë e bllokuar në krahun verior të saj, sepse nuk zbatohet marrëveshja e tregëtisë së lirë". Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "autostrada Durrës-Kukës-Morinë ka dhënë një frymëmarrje të madhe në fushën e transportit, por është e nevojshme që të përzgjidhet menjëherë një kompani konsulence për të bërë fizibilitetin për hekurudhën që do të lidh Shqipërinë me Kosovën. Ne kemi segmentin hekurudhor me Malin e Zi dhe do të plotësojmë edhe kilometrat e mbetura me Maqedoninë, por lidhja hekurudhore me Kosovën ka një rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht pas ndërtimit të portit të Vlorës, i cili për efiçensën e tij kërkon lidhjet më të fuqishme me rajonin", tha Kryeministri Berisha. "Nuk mund të themi se do të fillojë ndërtimi i kësaj hekurudhe gjatë këtij mandati, pasi buxheti për projektet është përcaktuar, por le të jetë gati projekti për mandatin tjetër. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të fillojë ndërtimi kur të bëhet projekti, sepse mund të kemi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, si një projekt rajonal mjaft i rëndësishëm", tha Kryeministri Berisha. Porti i Vlorës, tha Kryeministri Berisha "do të jetë porti më i madh i kontenierëve në Mesdhe dhe kjo gjë kushtëzon forcimin e transportit hekurudhor". "Në këtë kontekst edhe linja hekurudhore Tiranë-Vlorë duhet të ristrukturohet në funksion të portit të Vlorës", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili e nderoi me medaljen e lirisë. "Unë isha në Prekaz, ku vizitova familjen Jashari. Nuk ka një familje tjetër në kombin shqiptar që të jetë flijuar me 53 anëtarë të tjerë të familjes si Adem Jashari, duke u shndërruar në legjendë frymëzimi, në një kohë kur pak veta mendonin se ajo luftë do të sillte rezultatet që solli", vijoi Kryeministri Berisha. Vlera të jashtëzakonshme lirie janë krijuar në Kosovë, tha Kryeministri Berisha duke siguruar se "Shqipëria do të ndihmojë me të gjitha mundësitë e saj për promovimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës". Për sa i përket standardeve që po krijohen në Kosovë për liritë dhe drejtat e minoriteteve, Kryeministri Berisha vlerësoi se "ato janë standardet më të mira të vendosura në rajon dhe në Europë që kanë bërë të ulen shumë tensionet ndëretnike dhe të kthehen të shpërngulurit me besim për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë. Në Shqipëri ne kemi 18 komuna minoritare tërësisht homogjene, por në mënyrë absolute unë nuk kam asnjë dallim kur shkoj në Derviçan apo kur shkoj në Libohovë", tha Kryeministri Berisha duke përshëndetur gjithashtu edhe shembullin që jep Kosova me përfshirjen në parlament të përfaqësuesve të pakicave. Duke informuar mbi takimet me përfaqësuesit e biznesit kosovar, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "ka gjetur një interes shumë të madh të këtij biznesi për të investuar në Shqipëri", sikundër ftoi kompanitë shqiptare që të marrin pjesë në proceset e privatizimeve që po ndodhin në Kosovë. Si një moment të veçantë të vizitës së tij në Ksoovë, Kryeministri Berisha veçoi edhe nderimin që i bëri Universiteti i Prishtinës me dorëzimin e titullit "Honoris Causa". "Universiteti i Prishtinës, në historinë e kombit ka një vend nderi në historinë e kombit. Gjatë vizitës sime unë bëra dhe homazhe te varri i Presidentit Rugova, i cili mbetet një nga personalitetet më të rralla në historinë e Kosovës, arkitekti i Kosovës së pavarur", tha Kryeministri Berisha. Ndërsa në takimin me përfaqësuesit opozitar të Kosovës, Kreu i Qeverisë shqiptare vuri në dukje se "i ftoi ata të bëjnë një opozitë konstruktive në prag të zgjedhjeve të para pas pavarësisë së Kosovës". Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Kryeministri Berisha u takua edhe me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare të cilat sipas tij "kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për paqen, stabilitetin dhe forcimin e institucioneve në Kosovë. “Problemi më kryesor i Kosovës është problemi ekonomik, ndaj urojmë që komuniteti ndërkombëtar të organizojë një konferencë tjetër donatorësh", tha Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha u shpreh se qëndrimi i tij dyditor në Kosovë kulmoi me vizitën e tij në Prizren ku u nderua me Titullin "Qytetar Nderi i Prizrenit. Prizreni është një qytet jashtëzakonisht i çmuar për kombin shqiptar, një qytet i lashtë që në kohërat më të vështira të kombit mblodhi elitën shqiptare dhe krijoi qeverinë shqiptare për të kundërshtuar planet makabre të fuqive të mëdha të asaj kohe. Në Prizren u themelua pavarësia e Shqipërisë dhe Kosovës, pasi pa idealin e Prizrenit Shqipëria dhe Kosova nuk do të ishin të pavarura", tha Kryeministri Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat