Berisha e Topi, urojnë Presidentin Obama

Shqipëria

Berisha e Topi, urojnë Presidentin Obama

Nga: Bota sot, Tiranë Më: 10 tetor 2009 Në ora: 12:54

Udhëheqësit e shtetit shqiptar, Berisha e Topi urojnë presidentin amerikan Barak Obama për marrjen e çmimit Nobel për paqe

Urimi i Presidentit Topi

"I nderuar President Obama,

Me shumë kënaqësi dhe gëzim mësova së Komiteti i posaçëm Ndërkombëtar i Çmimit Nobel ju zgjodhi Ju fituesin e këtij Çmimi të rëndësishëm për Paqen për këtë vit.

Kam nderin t’ju dërgoj në emrin tim dhe në emrin e popullit shqiptar urimet e sinqerta dhe përgëzimet më të mëdha me këtë rast të veçantë për Ju dhe kombin e madh amerikan. Vlerësimi i figurës, kontributit e përkushtimit tuaj për të përhapur paqen, për të luftuar varfërinë, për të ndaluar luftën, për të ndërtuar mirëqenien, për të mbjellë harmoninë dhe për të ringjallur shpresën dhe besimin në emër të drejtësisë, lirisë dhe të një bote më të begatë, është shembulli se si guximi dhe vullneti mund të kthehen në sukses dhe në vlerë kombëtare e botërore. Unë dhe i gjithë populli shqiptar bëhemi pjesë e gëzimit të kombit tuaj dhe pjesë e vlerësimit që Komiteti i posaçëm Ndërkombëtar i Çmimit Nobel pati për ju duke ju kurrorëzuar me Çmimin Nobel për Paqen. Gjej mundësinë edhe një herë, Zoti President, që të shpreh ndjenjat e konsideratës sime më të lartë!

Urimi i Kryeministrit Berisha

Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Barack Obama për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009. Në këtë mesazh, Kryeministri shkruan:“I dashur z. President Obama,Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për marrjen nga ana juaj të Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009, të merituar plotësisht për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për konsolidimin e paqes e sigurisë globale, për një botë pa armë bërthamore dhe për promovimin e mirëkuptimit e bashkëpunimit ndërmjet popujve e kombeve anembanë globit.Përzgjedhja juaj si fitues i Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009 është një ngjarje e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjithë qytetarët e kombit tuaj të madh, të cilët kanë të drejtë të krenohen me Presidentin e 44-t të tyre dhe me përpjekjet e tij në shërbim të paqes, sigurisë e bashkëpunimit anembanë globit. Por kjo përzgjedhje është gjithashtu një ngjarje e shënuar për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, si edhe për të gjithë miqtë e dashamirësit Tuaj dhe të kombit të madh amerikan anembanë botës, të cilët kanë gjetur tek Ju mikun e tyre më të madh e më të shquar dhe te SHBA-të aleatin më të madh e strategjik në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e lirisë dhe promovimin e paqes e sigurisë globale.Kam ndjekur me admirim vizionin tuaj gjithëpërfshirës dhe përpjekjet tuaja për të shuar konfliktet në zona të nxehta të globit, për të forcuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet shteteve e popujve të ndryshëm. Në veçanti, kam mbetur i impresionuar nga vizioni që Ju shpalosët në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbajtur më 23 shtator në Nju Jork, ku u miratua me unanimitet rezoluta historike për çarmatimin bërthamor, ndaj ndihem shumë i lumtur t’Ju uroj sot për këtë çmim të merituar si edhe për sukses në misionin dhe përpjekjet tuaja të mëtejshme për një botë ku sundon paqja dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve e kombeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat