Dhuna ndaj Bazes, Berisha: Akt shumë i rëndë

Shqipëria

Dhuna ndaj Bazes, Berisha: Akt shumë i rëndë

Më: 3 nëntor 2009 Në ora: 16:24

Kryeministri Sali Berisha ka dënuar sot dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të njohur dhe botuesit të gazetës “Tema”, Mero Baze, ushtruar mbrëmjen e shkuar nga biznesmeni Rezart Taçi dhe truprojat e tij.

“Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë”, theksoi zëdhënësja Juela Meçani.Sipas saj, Kryeministri Berisha kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. “Sikundër Kryeministri Berisha thekson edhe një herë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë”. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e ka dënuar aktin e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze. Në deklaratë, nënkryetari i LSI-së, Edmon Haxhinasto theksoi se çdo akt dhune, është i dënueshëm.

“Çdo akt dhune ndaj çdo qytetari, është jo-civil, i dënueshëm, dhe i papranueshëm për shoqërinë tonë. Shqipëria është një shtet ligjor dhe të gjithë konfliktet, midis individëve dhe institucioneve duhet të zgjidhen ligjërisht nga qytetarët”, theksoi Haxhinasto. Ai nënvizoi se mbështet organet e Prokurorisë të hetojnë këtë akt dhe të vënë para drejtësisë fajtorët.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat