Vetëdorëzohet në polici biznesmeni Rezart Taçi

Shqipëria

Vetëdorëzohet në polici biznesmeni Rezart Taçi

Më: 5 nëntor 2009 Në ora: 20:48

Biznesmeni Rezart Taçi është vetëdorëzuar dje në Polici, duke pranur në një deklaratë për median se, "vihem në dispozicion të drejtësisë" dhe se "jam gati të respektoj çdo instancë ligjore". Policia e Tiranës bëri të ditur se ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Tiranës "arrest me burg" ndaj biznesmenit Rezart Taçi, President i Kompanisë së hidrokarbureve "Taçi Oil". Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, deklaroi për ATSH-në se, Rezart Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, President i Kompanisë "Taçi Oil", i cili aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në Policinë e kryeqytetit, u vetëdorëzua në orën 16.00 të ditës së enjte në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës. Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, mësohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim nr.930, ka vendosur ndaj biznesmenit Rezart Taçi, (në mungesë) masën e sigurisë "arrest në burg" për konsumim të veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës, e kryer në bashkëpunim". Policia bëri të ditur se Presidenti i Kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, akuzohet se në datën 2 nëntor 2009, në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë (të cilët ndodhen të arrestuar), dyshohet se kanë goditur me grushta, në ambientet e lokalit "Kapricio", pranë ish-bllokut, gazetarin Mero Baze. Dhunimin e gazetarit Baze nga ana e biznesmenit Taçi dhe truprojeve të tij, e dënuan menjëherë krerët më të lartë të shtetit dhe të qeverisë si Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, etj.

Reagimi

Jam i gatshëm të respektoj në çdo moment çdo instancë ligjore dhe në rastin konkret, vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë. Por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë se e gjitha kjo situatë është rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë zotëroj. Dua të theksoj faktin se nuk është në edukatën dhe formimin tim personal përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave, prandaj hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj personit tim. Sapo rashë në dijeni të vendimit të Gjykatës. Vihem në dispozicion të drejtësisë dhe shpreh bindjen se rasti në fjalë do të trajtohet në bazë të ligjit.

"Nuk kam patur asnjë konflikt. Gjatë gjithë jetës sime si sipërmarrës kam trajtuar me respekt, vlerësim të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe personat e tretë, pa i dhunuar kurrë dhe pa i vënë në situata të vështira", shprehet Taçi. Biznesmeni i njohur shqiptar thekson në reagimin e tij se ka respekt ndaj principit të lirisë së shtypit dhe informimit. "Akuza e cila po tenton të dëmtojë imazhin tim dhe të bashkëpunëtorëve të mi, nuk është gjë tjetër veçse një strategji e vazhdueshme denigruese që ka si objektiv përbaltjen e shoqërisë, të cilën kam nderin ta përfaqësoj", shkruan Taçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat