Një pjesë të Shkodrës vërshimet e bëjnë të lundrueshme

Shqipëria

Një pjesë të Shkodrës vërshimet e bëjnë të lundrueshme

Nga: Jonuz Hallaçi Më: 12 janar 2010 Në ora: 11:58

Lëvizjet nëpër këto lagje bëhen me mjete ujore nga vetë banorët, por edhe nga strukturat e policisë dhe ushtrisë, që evakuojnë banorët nga rreziku.

Një pjesë e mirë e qytetit tashmë është e lundrueshme dhe varkat me rrema apo me motor janë të vetmet mjete lëvizëse që kanë zëvendësuar automjetet.

Nga thellësitë e lagjeve dhe shtëpitë private nxirren edhe një çift të moshuarish të sëmurë që nuk kanë patur mundësi të lëvizin vetë. Ata thonë se kanë ditë në harresë.

“Ka shtatë ditë e shtatë netë që jam izoluar. Askush nuk ka ardhë të më ndihmojë, përveç kishës që më ka sjellë njëherë ushqime”, thotë i moshuari, ndërkohë që bashkëshortja e tij apelon për ndihmë që nga buka e deri tek ilaçet që duhet t’i marrë edhe për burrin e saj.

Jo vetëm strukturat lokale dhe shtetërore po strehojnë familjet në nevojë, por edhe familjarë të Shkodrës të cilët në këtë kohë të pazakontë u bëjnë strehë të përmbyturve.

“I kam njerëzit e mi, do t’i strehoj e t’i ushqej derisa të lirohet shtëpia e tyre dhe shteti t’i ndihmojë. Unë edhe burrin e kam pa punë, por nuk mund t’i lë pa strehuar”, thotë Xhemize Vulaj, që ka strehuar të afërmit e saj në shtëpinë që nuk i është përmbytur.

Mjaft i vështirë në këto kushte është dhe qarkullimi i automjeteve. Kujtimi, shoferi me të cilin udhëton korrespondenti i BBC-së, thotë se ai po lundron me makinën e tij dhe nuk po ecën si gjithmonë në tokë.

“Kam 40 vjet që eci me makinë, por kështu nuk ka ndodhur kurrë. Edhe herë të tjera është rritur Buna, por jo kaq shumë dhe nuk ka qëndruar kaq gjatë në këto nivele. Është e pamundur të ecësh me makinë, duket sikur po lundrojmë dhe jo ecim mbi tokë.”

Vërshimi i ujrave drejt thellësisë së qytetit ka shqetësuar autoritetet. Diku në një pikë kritike korrespondenti i BBC-së thotë se sheh dhe Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, të cilin e pyeti filimisht se çfarë po bëhet për të ndihmuar banorët e qytetit.

“Kemi marrë të gjitha masat për t’i evakuar banorët e lagjeve që rrezikohen. Buna është rritur me 2 cm lartësi, por situata është nën kontroll. Po analizojmë dhe ujin e pijshmëm, nuk ka probleme të shëndetit. Gjithë strukturat janë në gatishmëri. Falenderojmë bujarinë shkodrane për humanizmin e treguar në strehimin e të përmbyturve, por dhe qeverinë dhe shoqatën e kryetarëve të qarqeve dhe bashkive të vendit të cilët na kanë ndihmuar konkretisht dhe në këtë ndihmë po e kanalizojmë aty ku ka nevojë për të”, thotë Lorenc Luka, Kryetar i Bashkisë në Shkodër.

Në ditën e 11 të përmbytjeve të mëdha në Shkodër, Shtabi e Emergjencave ka njoftuar se deri tani është përmbytur një sipërfaqe toke prej 10 mijë e 400 hektarë, janë evakuar 4 mijë e 780 persona dhe 2 mijë e 500 shtëpi banimi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat