Mot më i mirë, por evakuimet vazhdojnë

Shqipëria

Mot më i mirë, por evakuimet vazhdojnë

Më: 13 janar 2010 Në ora: 12:43

Megjithatë autoritetet këmbëngulin që të vazhdojë evakuimi i njerëzve që vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë në zonat e përmbytura.

Përparësi e qeverisë dhe autoriteteve vendore është dërgimi i ndihmave humanitare për banorët e izoluar.

Moti i mirë dhe pa reshje sot ka ndikuar pozitivisht në punën e strukturave shtetërore dhe humanitare, për të ndihmuar të rrezikuarit nga përmbytjet e mëdha, që kanë përfshirë rajonin e Shkodrës prej gati 10 ditësh.

Sipas njoftimeve zyrtare, mësohet se sot janë dërguar me rrugë ajrore ndihma ushqimore për banorët e izoluar të komunës Dajç, si dhe bazë ushqimore për gjënë e gjallë.

Rëndësi po i jepet lidhjes së lagjeve dhe fshatrave të izoluar me transport ujor, si dhe forcimit të argjinaturave në zonat ku ka pasiguri.

Bilancet më të fundit flasin për 10.400 ha tokë të përmbytur, 4780 persona të evakuar, dhe 2500 shtëpi të përmbytura.

Sipas kompanisë energjitike, KESH, prujet në hidrocentralet në kaskadën e Drinit po shkojnë drejt normalitetit.

Në Fierzë mbërrijnë 500 metër kub ujë /sek, ndërkohë që derdhen 880 metër kub ujë/sek. Edhe Koman dhe Vau i Dejës prujet konsiderohen në parametra optimalë.

Kërkesë e vazhdueshme e banorëve të përmbytur mbetet evidentimi i dëmeve sa më shpejt dhe fillimi i punës për kompensimin e tyre nga ana e shtetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat