Presidenti dhe ambasadorët në zonat e përmbytura

Shqipëria

Presidenti dhe ambasadorët në zonat e përmbytura

Më: 14 janar 2010 Në ora: 19:09

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot zonat e përmbytura në zonën e Shkodrës, së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Shqipëri, Xhon Uithers, Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, si dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse, vendi i të cilin mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Në komunën Ana e Malit, Kryetari i Shtetit së bashku me tre personalitetet e larta si dhe Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, është pritur nga Kryetari i kësaj Komune, Arben Ceni dhe drejtues të tjerë lokalë si Prefekti i Shkodrës, Mexhit Cungu, po ashtu dhe nga dhjetëra banorë, të cilët vuajnë aktualisht pasojat e përmbytjeve të fundit. Së pari, Presidenti Topi është ndalur në një takim me autoritetet vendore në praninë e tre ambasadorëve. Në përfundim, ata janë ndalur, kanë takuar e dëgjuar nga afër e me vëendje shqetësimet e banorëve, banesat dhe pasuria e së cilëve është përmbytyr, duke i shprehur atyre solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e pakursyer njerëzore dhe institucionale në këtë moment tejet të vështirë për ta.

Më pas, Presidenti i Republikës dhe Ambasadorët Uithers, Lohan e Montobio inspektuan Obotin, një ndër fshatrat më të dëmtuar nga përmbytja në veriperëndim të vendit. Në vijim, nga ura e Sagjisës në këtë zonë, Presidenti Topi, Ambasadori amerikan Uithers, Ambasadori i KE-së, Lohan dhe Ambasadori spanjoll Montobio i janë përgjigjur interesimit të mediave të pranishme:

Presidenti Topi: Dua të falenderoj zotin Uithers, zotin Lohan, zotin Montobio, të cilët iu përgjigjën ftesës sime për të ardhur së bashku e për të inspektuar zonat e përmbytura! Dëshiroj nga zemra, me sinqeritetin maksimal të vlerësoj dhe të falenderoj në radhë të parë banorët e zonave të përmbytyra, të cilët kanë ditur me mjaft maturi, durim dhe shumë fisnikëri të përballojnë këtë situatë, e cila nga të gjithë është konsideruar si shumë kritike. Më lejoni që të vlerësoj një kthim të situatës, mbasi u kalua situata kritike me basenet, tani po kalohet gati-gati çdo ditë në situata më normale dhe, nga ajo që na u referua dhe nga ajo që e pamë me sy, ka një absorbim të dukshëm të ujit nga Buna. Jam i bindur që me masat e marra dhe me masat që do të merren, kjo situatë, edhe me ndihmën e kushteve të motit që për fat të mirë ka kthyer, situata do të kthehet në normalitet.

Dëshiroj, edhe një herë t’i falenderoj të gjithë pa masë, të gjitha strukturat e shtetit, forcat e ushtrisë, të policisë, të gjithë qytetarët, të gjitha shoqatat që kanë demonstruar solidaritet. Dëshiroj të falenderoj partnerët ndërkombëtarë, që kanë bërë të mundur që të gjithë së bashku të sinkronizohemi për të kaluar këtë situatë. T’ju falenderoj ju edhe një herë, përfaqësues të mediave, që pa u lodhur keni realizuar transparencë!

Unë besoj që kjo zonë, përtej kalimit të kësaj situate, patjetër, me ndihmën e ekspertëve të Shqipërisë, të strukturave të shtetit, por edhe të ekspertëve ndërkombëtare, të miqve tanë strategjikë dhe partnerëve tanë, do të bëjë të mundur që të ketë projekte integrale, në mënyrë që kësaj zone kaq e bukur me mundësi të jashtëzakonshme, uji të mos i kthehet në fatkeqësi, por t’i kthehet në një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik, edhe për të gjithë elementët e tjerë, që kanë të bëjnë me këtë zonë kaq interesante, jo thjesht si ekosistem natyror, por si një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik. Patjetër që kjo zonë do t’i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit dhe unë u bëj thirrje të gjithëve që të vazhdojnë bashkëpunimin, të ketë një evidentim të qartë të të gjitha dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Strukturat qendrore dhe strukturat e pushtetit vendor të bëjnë të mundur që gjithçka të kompensohet dhe jam i bindur që, sikurse është premtuar, të ketë një kompensim real, të drejtë, mbi bazën e një gjykimi profesional dhe të gjithë pastaj t’i kthehen jetës normale.

Unë dëshiroj edhe një herë të ritheksoj nevojën e kësaj daljeje, e cila nuk bëhet kurrë për ekzibicion publik. Kjo është një dalje së bashku me partnerët tanë për të bërë të mundur që investime të fuqishme të ketë në perspektivë për këtë zonë, e cila është në kufi me Malin e Zi dhe për të riaktivizuar disa projekte, të cilat ndoshta kanë mbetuar pa u realizuar, sikurse ka qenë një projekt ‘Inter-reg’ ku Shqipëria, Mali i Zi dhe Bashkimi Evropian të realizojnë jo vetëm thellimin e Bunës, por të realizojnë një bonifikim të rëndësishëm, substancial të kësaj zone.

Pyetjes së mediave lidhur me shikimin e mundësisë së vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë situatë, Presidenti Topi iu përgjigj:

“Unë mendoj dhe ju siguroj që, siguria kombëtare është monitoruar në çdo sekondë të 24 orëshit. Ju siguroj që më shumë se sa siguria kombëtare, asgjë nuk na shqetëson dhe përderisa të gjithë institucionet, që përbëjnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar, kanë qenë në aktivitet të plotë, kanë qenë në një kontakt dhe komunikim të drejtëpërdrejtë me njëri-tjetrin, kanë qenë në terren, unë besoj që kjo garantohet dhe nuk ka asnjë lloj elementi që ta vë në dyshim këtë”.

Ambasadori amerikan Uithers: Pikësëpari dëshiroj të falenderoj Presidentin Topi për ftesën që na ka bërë dhe për mundësinë që ne të mund të vimë dhe të inspektojmë zonën për të parë se si ka ndikuar përmbytjet e mëdha jetën reale të njerëzve! Ne patëm mundësinë të takojmë persona jeta e së cilëve është ndërprerë për shkak të përmbytjeve dhe na kjo ka bërë të kuptojmë të gjithë gjithçka që ata dhe familjet e tyre kanë kaluar gjatë kësaj periudhe. Sapo jam kthyer nga Shtetet e Bashkuara. Shteti amerikan në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe nesër do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës, që ne dëshirojmë të ofrojmë, e cila do të pasohet pastaj me fazën tjetër që është rikuperimi dhe rihabilitimi i njerëzve që të mund t’i rikthehen jetës normale. Dëshiroj të them gjithashtu që jemi impresionuar shumë me mënyrën se si banorët e kanë përballuar këtë situatë dhe dëshirojmë t’i përgëzojmë për të gjitha aftësitë e tyre për të rekuperuar gjithçka. Ne të gjithë e ndjejmë dhimbjen e tyre në këtë situatë që po kalojnë dhe e përshëndesim kurajon e tyre me të cilën ata po e administrojnë këtë situatë me të cilën janë të detyruar të përballen.

Ambasori i KE-së, Lohan: Së pari, dua të falenderoj Presidentin dhe të gjitha njësitë vendore, qeverisjen, që na kanë ndihmuar dhe na kanë dhënë mundësinë të vijmë të shohim zonat, të cilat janë përmbytur për shkak të ujit. Ka qenë shumë e rëndësishme për ne që të shikojmë vetë, me sytë tanë situatën në terren. Dëshirojmë gjithashtu që të shprehim të gjitha emocionet tona të solidaritetit dhe të simpatisë që kemi për të gjithë personat që kanë vuajtur për shkak të efekteve të kësaj përmbytjeje. E megjithatë, në këtë situatë, të gjithë famijarët dhe personat që jetojnë në këtë zonë le të bashkohen me mua në një ndjenjë solidariteti për të gjithë viktimat që kanë ndodhur për viktimat e tërmetit në Haiti. Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që të shprehë në mënyrë të qartë e të shpejtë solidaritetin, duke dërguar këtu ekipin e ekspertëve, të cilët janë duke ndihmuar autoritetet shqiptare për të parë të gjithë nevojat që kanë, si dhe në pritjen dhe në shpërndarjen e të gjithë të mirave për të cilat ka nevojë komuniteti. Bashkimi Evropian dhe shumë vende dhe partnere të tij kanë mundur të tregojnë në mënyrë shumë të shpejtë solidaritetin e tyre duke sjellë jo vetëm produkte ushqimore, por po ashtu dhe sende të tjera, që kanë qenë të nevojshme për popullatën. Solidariteti i Bashkimit Evropian nuk përfundon këtu. Ne do vazhdojmë ta dëshmojmë të gjithë solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe gjatë fazës së dytë, që është rikuperimi dhe rihabilitimi i zonës. Dhe shpresoj që kjo fazë e dytë të vijë shpejt në mënyrë që të përfundohet faza e parë e emergjencës.

Ambasadori spanjoll, Montobio: Siç e dini, qeveria e Spanjës është duke kryesuar Presidencën e radhës dhe jam këtu në emër të saj, për ta përfaqësuar atë. Ndaj tërësisht të njëjtat mendime me atë që tha dhe kryetari i Komisionit Evropian në Shqipëri. Dhe në emër të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve dëshiroj të falenderoj Presidentin Topi që na ka ofruar këtë mundësi. Dhe unë gjithashtu mendoj që ambasadat e vendeve përktase në Shqipëri janë sytë e vendit të tyre këtu. Ne dëshirojmë që Bashkimi Evropian është ju, komuniteti ndërkombëtar është me ju dhe gjithë ky solidaritet do të përkthehet në ndihmë që do të ofrohet nga Bashkimi Evropian dhe nga partnerët për të gjithë këtë situatë me të cilën ju jeni duke u përballur. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu shtetin shqiptar dhe autoritetet shqiptare për mënyrën se si kanë koordinuar asistencën dhe për popullin shqiptar për përgjegjësinë që kanë treguar, si dhe median për të gjithë atë profesionalizëm të treguar në pasqyrimin e situatës.

* * *

Në përfundim të vizitës së tij të punës, Presidenti Topi së bashku me tre ambasadorët u ndal dhe vizitoi lagjen Ajasmë të Shkodrës,ku u prit edhe nga Kryebashkiaku, Lorenc Luka, njërën prej zonave më të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit, ku bashkëbisedoi me banorët duke u njohur më nga afër me dëmet dhe problemet e shkaktuara.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat