Në përgjigje të situatës së emergjencës krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi sot se do të dhurojë 50 mijë dollarë si ndihmë emergjence për të mbështetur ata që janë prekur më shumë.
Fondet do t'i përcillen Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili aktualisht po punon për të ofruar ndihmë për rreth 5,000 banorë në veri të vendit.
Në përgjigje të përmbytjeve, Ambasada gjithashtu po këshillohet ngushtë me qeverinë shqiptare dhe po bashkërendon me bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm mbi mënyrën për t'iu përgjigjur nevojave të menjëhershme të popullsisë së prekur, por edhe mbi kthimin eventual të banorëve në bashkësitë e tyre si dhe nevojën për përpjekje drejt rindërtimit dhe rimëkëmbjes.