Shkodra lë pas përmbytjet, situata i kthehet normalitetit

Shqipëria

Shkodra lë pas përmbytjet, situata i kthehet normalitetit

Më: 17 janar 2010 Në ora: 03:05

Ndryshe nga sa na ofrojnë disa nga pamjet televizive të vjetëruara, qyteti i Shkodrës dhe zonat që pak ditë më parë gjendeshin nën ujë po shkojnë drejt normalizimit të plotë. Mëngjesi i ditës që shkoi e gjeti Shkodrën të kthjellët. Rrugën drejt qytetit të vjetër verior, e paraprijnë pesë makina ushtarake, të cilat nisin ndihmën e parë të ditës për banorët e zonave të prekura nga përmbytjet. Nga Kalaja e Rozafës, rrezet e diellit nisin të depërtojnë duke mbështjellë gjithë qytetin. Hyrja për në qytet, e ka lënë pas kaosin e disa ditëve më parë, përmasat e centimetrave të ujit kanë nisur të tkurren drejt zhdukjes. Nëpër rrugë vërehen lëvizjet e para të qytetarëve. Disa u drejtohen kafeneve, ndërsa të tjerë punës së përditshme. Në bisedat e tyre vazhdon ende të mbeten temë kryesore zonat e prekura nga përmbytjet, të qetësuar tashmë që moti ndërroi e që gatishmëria për kapërcimin e emergjencës është më e pranishme se kurrë. Si çdo ditë, edhe mëngjesin e djeshëm, në komunat e rrethuara nga uji, niveli i të cilit bie dukshëm nga dita në ditë, nis hartimi i planit për ndihmën që do të ofrohet në shpërndarjen e ushqimeve për banorët dhe gjënë e gjallë. Pjesë e rëndësishme e planit janë edhe masat në forcimin e argjinaturave, një hap i domosdoshëm ky, në evitimin e vërshimit të ujit në rast se moti do të sjellë sërish reshje të dendura shiu. Po ashtu, rëndësi të jashtëzakonshme tashmë që moti ka larguar retë e rënda me shi është mobilizimi për largimin e ujit me pompa, një proces i rëndësishëm për evakuimin e ujit nga zonat e banuara. Në qendër të qytetit është instaluar Shtabi i Emergjencave, i cili prej dy javësh ka shpërngulur dhe ka vënë në gatishmëri të plotë një pjesë të mirë të qeverisë nga Tirana. Pak metra më tutje, ndodhet Hotel "Rozafa", një prej ambienteve ku tashmë janë akomoduar banorë të zonave të prekura nga përmbytjet. Që në kontaktin e parë me banorët, vihet re zemërgjerësia shkodrane, hapin derën e dhomave ku janë sistemuar dhe me buzëqeshje na ftojnë të ndajmë për pak minuta kushtet e reja në të cilat janë rehabilituar. "Nuk i zihet ma besë motit, shpresat i kena te qeveria, besojmë, se na shpëtoi nga tërbimi që solli qielli, me shi e me stuhi". Antoni, është një burrë plak, rreth të 70-ve, ndërsa pi me ngadalë duhan të dredhur na tregon se nuk është hera e parë që moti bën teka të tilla. "E kena provu ca vite ma parë, kur ishin ata, socialistët, na lanë atje, në mes të ujit, pa lekë e pa asnjë ndihmë". Prej syve i duket ende zemërimi i gjashtë viteve më parë, kur e njëjta situatë përmbyti zona të tëra në qarkun e Shkodrës dhe shteti nuk iu gjend pranë në asnjë moment banorëve.

Banorët: Asnjë deputet socialist nuk pyeti për gjendjen tonë

Largimi i banorëve nga zonat që përbënin rrezik për jetën e tyre për shkak të vërshimit të ujit në banesa, ka qenë ndoshta operacioni më i jashtëzakonshëm që qeveria ka ndërmarrë ndonjëherë. Fatjoni dhe Eduardi, dy vëllezër nga një fshat i komunës Bërdicë, tregojnë se dy ditët e para që uji nisi të hynte në banesat e tyre, nuk pranuan të evakuoheshin, ndonëse përditë tek banesat e tyre forcat ushtarake bënin thirrje të vazhdueshme për t'i larguar prej andej. Fatjoni, një djalosh rreth të 25-ve thekson se rritja e nivelit të ujit e detyroi atë dhe familjen e tij të largoheshin nga banesa, me besimin te mbështetja e qeverisë për rehabilitimin e plotë të banesës. Ndërsa shprehet i kënaqur për kushtet e ofruara në Hotel "Rozafa", ku ka plot 10 ditë që strehohet, Fatjoni tregon se janë të shumtë përfaqësuesit e qeverisë që shkojnë e vizitojnë, duke i shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre në këto momente të vështira që po kalojnë. "Thuajse përditë vijnë na takojnë. Erdhi Kryeministri Berisha, Jozefina Topalli, deputetë demokratë të Shkodrës, por asnjë deputet i Partisë Socialiste s'ka shkelur këtu, vetëm të na pyesin si jemi", thekson ai. Më tej, Fatjoni tregon se nuk është hera e parë që banesa e tyre ka përfunduar nën ujë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut. Ai thotë se asaj kohe shteti i ka braktisur dhe madje ndaj tyre nuk është ofruar asnjë ndihmë mjekësore apo ushqimore. "Jemi shumë të kënaqur. Uji është në rënie, në normalizim. Ditët e para s'pranuam të evakuoheshim, erdhi në rritje, gati dy pëllëmbë, pastaj pranuam ndihmën e forcave të ushtrisë. Orenditë shtëpiake janë prishur, pjesërisht, jo të gjitha. Besojmë shumë te qeveria 'Berisha'. Ka marrë masa të jashtëzakonshme, që asnjë shqiptar nuk i ka parë ndonjëherë. Kanë ndodhur përmbytje edhe në raste të tjera, por s'na është dhënë asnjë qindarkë", na rrëfen Fatjoni.

Hera e parë që shteti ngrihet në këmbë

Atë që na tregoi Fatjoni pak më sipër e konfirmon edhe Denisi, banor i lagjes "Livadhe", në qytetin i Shkodrës. Sipas tij, është hera e parë që shteti ngrihet në këmbë për të siguruar jetën e qytetarëve. "Ngjarje të tilla ka patur edhe më parë. Atëherë ka munguar gatishmëria e tillë", shprehet Denisi. Duke trokitur në dyert e hotelit, na mirëpret një çift i moshuar nga komuna e Dajçit. Pasi na shpreh kënaqësinë për kushtet e mira që u janë ofruar gjatë 10 ditëve që ata kanë fjetur aty, Xhaferri dhe Fatimja na tregojnë momentet e vështira që përjetuan si fillim, që siç thonë ata, tashmë i kanë harruar. Gatishmëria e qeverisë për të rehabilituar zonën dhe kompensuar dëmet i ka bërë këta banorë më të qetë dhe optimistë. "Kemi 10 ditë që jemi këtu, jemi shumë të kënaqur me kushtet. Falënderojmë qeverinë që na ka bërë shërbim, të tëra kushtet i kemi shumë të mira. Pranuam direkt evakuimin. Të gjitha forcat ishin në gatishmëri. Të gjitha forcat ishin aty. Uji ka filluar të pakësohet. Besojmë te qeveria, teksa na shpëtoi jetën do të na shpëtojë edhe shtëpitë", rrëfen Xhaferri. Ndërsa zonja Qerime, nga lagjja "Livadhe" thekson se, kushtet me të cilat po trajtohen banorët janë të kënaqshme. "Jemi shumë të kënaqur me të gjitha, me ushqime, me fjetje, me të gjitha. Sapo erdhi uji në banesë pranuam të largoheshim menjëherë. Ushtria për çdo moment na u gjend aty", thotë Qerimja. Me pamjen e një burrneshe të vërtetë shkodrane, Lume Bajraktari, një grua e re, e cila merret përditë me mirëmbajtjen e hotelit e të banorëve thotë se, "po të ishte nevoja edhe në shtëpitë tona do t'i prisnim". Zonja Lume na tregon se që në ditët e para kur nisën përmbytjet, Hotel "Rozafa" hapi dyert për të mirëpritur këta banorë, të cilët nga ditë në ditë po miqësohen shumë me njeri tjetrin. "Qysh ditën e parë që ndodhi katastrofa, njerëzit erdhën. Ishim të gatshëm t'i mirëprisnim. Është një fatkeqësie e madhe që ka ndodhur. Ajo që shoh unë këtu është se banorët janë shumë të kënaqur me kushtet", shprehet ajo.

Peshkatarët shfrytëzojnë fryrjen e Bunës

Një pjesë e mirë e anës së lumit të Bunës, zor se mund të shihet e shkretë edhe këto ditë të ftohta që janari po shënon temperaturat më të ulëta të tij. Që në fillim të hyrjes për në qytetin e Shkodrës, anë këtij lumi, në distanca relativisht të larguara, kanë dalë peshkatarët. Tek-tuk syri të zë edhe ndonjë peshkatar, i cili ka vendosur që ditën e peshkimit të tij ta bëjë me varkë, duke lundruar mbi Bunë. Që në orët e para të mëngjesit dhe deri në mesditë e ndoshta edhe më vonë, peshkatarët vijojnë të qëndrojnë, me durimin e fortë në vendin ku janë pozicionuar, me shpresën se Buna përveç zgjerimit të saj do t'u sjellë edhe diçka më shumë.

Bie ndjeshëm niveli i ujit në lagjen "Livadhe" dhe "Xhabije"

Në lagjen "Livadhe" dhe "Xhabije", niveli i ujit ndonëse ende i pranishëm vijon të zvogëlohet. Në këto zona ka nisur mobilizimi për largimin e ujit me pompa. Banorët e këtyre dy lagjeve, banesat e të cilëve u rrezikuan nga uji, janë të evakuuar. Pritet që për pak ditë ata të rikthehen sërish duke nisur me ndihmën e qeverisë rehabilitimin e banesave të tyre. E njëjta situatë paraqitet edhe për Bahçallëkun, uji edhe aty po largohet, megjithëse banorët për të qenë më të sigurtë janë ende të evakuuar dhe të akomoduar me kushte të mira.

Pakësim uji edhe në komunat Dajç, Bërdicë, Ana e Malit e Bushat

Komunat më të lakuara në media ditët e fundit si zonat më të prekura nga përmbytjet, Dajç, Bërdicë, Ana e Malit e Bushat, po shkojnë drejt normalizimit. Uji ka nisur të pakësohet dhe nga ditë në ditë po shkon drejt largimit të tij të plotë. Aktualisht janë të paktë banorët që janë nisur drejt banesave të tyre, në pritje që uji të largohet plotësisht. Nga masat e marra nga qeveria, ngritja e argjinaturave, nisja e thellimit të lumit Bunë, mundësisë që një situatë e tillë të përsëritet janë të pakta. Këto masa kanë sjellë besimin e banorëve, të cilët haptazi theksojnë se këto masa i bëjnë ata të sigurtë për jetën dhe banesat e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat