Kompensim të plotë dhe të shpejtë për të gjitha dëmet e përmbytjes në Shkodër

Shqipëria

Kompensim të plotë dhe të shpejtë për të gjitha dëmet e përmbytjes në Shkodër

Më: 19 janar 2010 Në ora: 13:53

Shefi i ekzekutivit, garanton në emër të të gjithë mazhorancës

Kryeministri i vendit Sali Berisha garanton edhe njëherë të gjithë shqiptarët për çdëmtim të plotë të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Përtej çdo keqinterpretimi që vjen si rrjedhojë e politikës fataliste të krahut majtis për angazhimin e ekzekutivit në përballimin e shpejtë dhe pa kosto të rënda të situatës, vjen garancia e kreut të qeverisë Berisha për kompensim të plotë financiar të të gjitha dëmeve të përmbytjes së madhe. Berisha u shpreh se qeveria do të ndjekë procedurat e përcaktuara ligjore dhe sipas ligjit të digave.

“Në këtë situatë jo të thjeshtë Komiteti Ndëriministror ka marrë porosi të bëjë disponibël të gjitha fotot satelitore për të bërë vlerësimin më të ndershëm. E gjithë gjëja e gjallë e kësaj zone është e matrikulluar, në bazë të listës së plotë, do të bëhet vlerësimi i dëmeve. Dëmet kanë qenë thelbësore, për mijëra familje të këtyre zonave. Qeveria disponon të gjitha fondet, të gjitha mjetet e një çdëmtimi të plotë dhe të ndershëm. Jo vetëm të dëmeve të krijuara në shtëpitë, orenditë, mallin që kanë patur, por edhe dhjetëra dëme të tjera. E rëndësishme është që sikundur gjer më sot, në çdo gjë do ketë transparencë të plotë. Transparencë në përllogaritje, në disbursim dhe jam i bindur se këtë provë ne që kaluam me një sukses të plotë, provën më të rëndë, të 100 vjeçarit porsa i përket përmbytjeve ujore, disponojmë të gjithë potencialin që edhe këtë provë të kompensimit ta kalojmë me sukses të plotë”, u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha.

Kryeministri reagoi ndaj zërave spekulues për menaxhimin e digave. Kreu i qeverisë theksoi se digat në mbarë vendin funksionojnë në bazë të një rregulloreje e cila është respektuar në çdo situatë.

“Dua të them se të gjitha spekulimet që bëhen, porsa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. Së pari, ata të cilët, çirreshin, larg duart politika, dua tu them shkurt: aty ku jeta e shqiptarëve është në rrezik, politika është më aktive. Është bërë përpjekja më maksimale, për të shmangur shembjen e digave dhe argjinaturave të zonës së nën Shkodrës. Është bërë përpjekja më e madhe që të jepej koha e nevojshme që qytetarët të bindeshin për evakuimin. Është bërë përpjekja më e madhe që shtabet e emergjencave të bënin në kohën e duhur evakuimin. Ndërsa qëndrimet që ata përpiqen me çdo kusht që të shpifin dhe trillojnë, për ditë të tëra u thanë shqiptarëve se digat u mbajtën të mbushura se Berisha donte të shiste energjinë dhe se kjo vinte nga fakti se ERE kishte rritur çmimin e energjisë nga 17 lekë deri në 22 lekë të vjetra. Turp! Digat funksionojnë në bazë të një rregulloreje. Rregullorja është zbatuar me përpikmëri. Më 22 dhjetor niveli i Ferizës ka qenë 5 metër poshtë nivelit të rregullores. Por vetëm më 27 dhjetor, niveli arriti në 296 metër. Në asnjë rast nuk ka patur rrezik absolut për digat, portat apo tunelet e tyre. Rreziku ishte evident për nën Shkodrës, Dajçin, Velipojën, Bushatin, Ana e Malit, sepse prurjet që theksova më sipër, po rrisnin dhe do rrisnin me shpejtësi nivelin e ujit në këto zona. Qyteti kurrë nuk kishte as edhe një kërcënim nga digat. Përkundrazi, kësaj radhe janë një mburojë ndaj vërshimeve të Drinit”, deklaroi kryeministri.

Duke bërë një përmbledhje të të gjithë situatës problematike në qarkun e Shkodrës Berisha tha se reshjet e shumta të shiut dhe shkrirja e dëborës bënë që lumenjtë, të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodrës dhe rrethinave të saj, në një hark kohor të shkurtër.

Berisha shprehu vlerësim të veçantë për mediat dhe rolin e tyre në pasqyrimin e vërtetë dhe realit të situatës.

Në vijim, Berisha përmendi se Komiteti Ndërministror ka marrë urdhër të sigurojë ushqimet për dy muaj, jo vetëm për popullatën, por edhe për gjënë e imët.

Berisha u shpreh edhe për rritjen e investimeve për të parandaluar në të ardhmen përmbytjet në të gjithë zonën e nën Shkodrës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat