Topi pret Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë

Shqipëria

Topi pret Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë

Më: 8 shkurt 2010 Në ora: 19:29

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Miloshoski dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pasi u uroi mirëseradhjen, Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat si dhe vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivele të larta për intensifikimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve mes dy vendeve fqinjë dhe miq. Në këtë kuadër, Presidenti Topi i përcolli nëpërmjet Ministrit maqedonas Miloshoski, përshëndetjet më të mira për Kreun e shtetit maqedonas, Presidentin Ivanov si dhe dëshirën për t’u takuar së afërmi me të në vazhdën e dialogut dhe bashkëpunimit të mirë politik që ekziston mes udhëheqësve të vendeve të rajonit.

Presidenti Topi vuri në dukje nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare në fusha me interes të ndërsjelltë si infrastruktura, turizmi, transporti, ku një rëndësi të veçantë merr Korridori VII.

Kreu i shtetit shprehu mbështetjen e plotë institucionale për aspiratat integruese të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike dhe në familjen e madhe evropiane duke e siguruar Ministrin e Jashtëm maqedonas për gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të ofruar e ndarë me vendin fqinj gjithë përvojën tonë integruese.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Miloshovski, pasi falenderoi për pritjen e rezervuar, shprehu urimet më të mira për rrugën e suksesshme integruese të përshkuar ndërkaq nga vendi ynë duke ndarë bindjen se së shpejti, duke shtuar përkushtimin e saj, edhe Maqedonia do të arrijë të realizojë aspiratat e saj integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe si edhe ato rajonale, zoti Miloshoski vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të luajtur gjatë këtyre viteve nga Shqipëria në shërbim të qëndrueshmërisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorja e Republikës së Maqedonisë në Tiranë, znj. Blagorodna Mingova-Krepieva, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zoti Selim Belortaja si dhe Ambasadori shqiptar në Shkup, zoti Arben Çejku.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat