SHBA e OSBE: Tryeza, faktor i rëndësishëm për zgjidhjen e ngërçit politik

Shqipëria

SHBA e OSBE: Tryeza, faktor i rëndësishëm për zgjidhjen e ngërçit politik

Më: 10 shkurt 2010 Në ora: 18:43

Në asnjë rresht të reagimit të SHBA-ve nuk përmendet fjala “krizë politike”, por thjesht një “ngërç institucional” i panevojshëm. Ambasada e SHBA-ve dhe prezenca e OSBE-së Tiranë, inkurajojnë palët politike për zgjidhjen e menjëhershme të ngërçit politik, i interpretuar prej këtyre dy përfaqësive si i panevojshëm dhe njëherazi i tepruar.

Ambasada amerikane i ka bërë apel Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike që të shfrytëzojnë tryezën e presidentit Topi për të zgjidhur pa vonesë ngërçin politik në vend dhe të përqendrohen tek axhenda euroatlantike e vendit.

Në deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane, lidhur me tryezën e kreut të shtetit thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike”.

“Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Ambasada amerikane ka përshëndetur udhëheqjen e Presidentit Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.

Ambasada e SHBA-së thekson më tej se “një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë”.

Më herët edhe zyra e OSBE-së në vendin tonë doli me një deklaratë ku përshëndeti iniciativën e presidentit dhe përgjigjen pozitive liderit të opozitës e mazhorancës.

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch deklaroi se është një hap përpara për zgjidhjen e situatës.

“Përshëndes iniciativën e Presidentit Topi për të ulur në tryezë palët politike. Tryeza është një hap përpara për zgjidhjen e ngërçit politik”, thuhet në deklaratën e ambasadorit.

Gjithashtu, ambasadori i OSBE-së ka përshëndetur gatishmërinë e liderëve të PS-së dhe PD-së që të marrin pjesë në një takim që mund të shërbejë për tejkalimin e vështirësive.

Ndërkaq, të shtunën në orën 11:00, kreu i PS-së Rama dhe shefi i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri Berisha do të ulen në tryezën e Presidentit të Republikës Bamir Topi për të negociuar për zgjidhjen e krizës politike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat