Qëndrime krejt të kundërta para tryezës politike

Shqipëria

Qëndrime krejt të kundërta para tryezës politike

Më: 12 shkurt 2010 Në ora: 15:14

Takimi i fundit me përfaqësues të faktorit ndëkombëtar në Tiranë i presidentit të Republikës Bamir Topi, - në prag të tryezës politike të së shtunës, mes kreut të PD-së Sali Berisha dhe atij të PS-së të opozitës, Edi Rama, - u bë me shefin e prezencës së OSBE, ambasadorin Robert Bosh.

Ashtu si më parë përfaqësuesit e BE-së në Tiranë, ai vlerësoi dhe përkrahu nismën e Presidendit Topi për këtë tryezë.

Deklarata më e fundit e Presidencës së BE-së u bë e njohur nga një njoftim shtypi, në të cilën thuhet se "BE mirëpret nismën e Presidentit Topi për të mbajtur një takim me kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama dhe mirëpret përgjigjet pozitive nga të dy liderët për të marrë pjesë në takim dhe për të marrë në konsideratë së bashku mënyrat për të ecur përpara sa më shpejt të jetë e mundur."

Por në Tiranë në këto orë të fundit para takimit, po përcillen njëkohësisht deklarata të tjera, kundërthënëse, të bëra në Strasburg që, sipas mediave në Tiranë, mbështesin palët në qëndrimet e tyre përjashtuese të njëra-tjetrës.

Shumica, duke cituar europarlamentarë të djathtë në Strasburg, thotë se "qëndrimi zyrtar i Parlamentit Europian është për moshapjen e kutive.

Ndërsa opozita, duke cituar europarlamentarë të majtë, thotë se hetimi i zgjedhjeve fillon me hapjen e kutive.

Prej afro 6 muajsh deputetët e PS-së të opozitës kanë bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë duke pretenduar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit me hapjen e kutive të votimit.

Mirëpo shumica thotë se hapja e tyre është joligjore dhe e pamundur sa kohë, sipas saj, kanë folur gjykatat e vendit.

Analistët politike shprehen të rezervuar për një ç'bllokim të shpejtë të situates në tryezën e së shtunës megjithë ndihmën që po u jep palëve faktori ndërkombëtar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat