Niset nga Shqipëria, kontigjenti i 5-të Paqeruajtës në Bosnje-Hercegovinë

Shqipëria

Niset nga Shqipëria, kontigjenti i 5-të Paqeruajtës në Bosnje-Hercegovinë

Më: 9 prill 2010 Në ora: 14:23

Në Brigadën Logjistike u zhvillua ceremonia për përcjelljen e Kontigjentit të 5-të Paqeruajtës, pjesëmarrës në misionin ALTHEA të Bashkimit Europian në Bosnje-Hercegovinë.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve paqeruajtës etj.

Pas fjalës që mbajti komandanti i Brigadës Logjistike gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, të pranishmit i përshëndeti ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili tha se njësia juaj prej dy vjetësh përfaqëson me dinjitet vendin dhe ushtrinë tonë në misionin ALTHEA të BE në Bosnje-Hercegovinë.

Ky është një mision shumë i rëndësishëm jo vetëm për shkak të autonomisë dhe rolit që ka, por ai përfaqëson kapacitetet tona profesionale në fushën e demontimit të municioneve.

Përvoja e grumbulluar në këto misione, vijoi më tej Imami, është një bazë e fuqishme për të vazhduar me sukses misionin tonë të rëndësishëm për demontimin dhe shkatërrimin e municioneve të tepërta në Shqipëri, si dhe për të dhënë kontributin tonë në kuadër të NATO-s.

Më pas Ministri Imami, duke folur për festimin me madhështi të 1-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, theksoi se padyshim arritjet tona janë të mëdha, por edhe detyrat për të ardhmen janë gjithashtu të mëdha. Ky mision jep një kontribut për forcimin dhe ruajtjen e sigurisë në rajonin tonë, në Ballkanin Perendimor.

Kështu që çdo kontribut që japim atje i shërben sigurisë si në vendin tonë, ashtu edhe në rajon. Duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij kontigjenti, Imami tha se, ky mision kryhet në kaudër të BE-së dhe ju jeni dallëndyshet e para në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në përfundim të fjalës së tij ai i uroi ushtarakëve paqeruajtës udhë të mbarë dhe suksese në realizimin e misionit të tyre.

Brigada Logjistike nëpërmjet efektivave të Qendrës së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave kontribuon në misionin ALTHEA në Bosnje-Hercegovinë që nga pranvera e vitit 2008.

Misioni që kryejnë Forcat tona të Armatosura në Bosnjë-Hercegovinë shënon të parin mision që kryhet me kapacitete të plota operacionale, financiare e logjistike.

Pjesëmarrja e këtij kontigjenti në Bosnjë-Hercegovinë bëhet në kuadër të marrveshjes që Republika e Shqipërisë ka bërë me Bashkimin Europian në maj 2005 për pjesëmarrje me trupa në operacionet ushtarake të BE-së për menaxhimin e krizës në Bosnje-Hercegovinë.

Kontigjenti i 5-të i përbërë nga 2 oficerë dhe dhjetë operatorë të asgjesimit të municioneve dhe eksplozivave do të zëvëndësojë Kontigjentin e 4-të, i cili ka filluar misionin në muajin tetor të vitit 2009. Kontigjenti është efektiv i Qendrës së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave.

Kjo Qendër ka rol të rëndësishem për asgjesimin e municioneve të tepërta që disponojnë FA dhe aktualisht vijon kryerjen e asgjesimit të municioneve në disa poligone, si dhe në operacionin “Kthim në normalitet”. Prej më shumë se dhjetë vitesh efektivi i kësaj strukture ka marrë pjesë në pastrimin e 15 rajoneve të infektuara më municione të shkaktuara nga ngjarjet e vitit 1997, duke treguar përkushtim dhe profesionalizem të lartë.

Ndihmesë ka dhënë edhe në mbështetje të popullatës për pastrimin e municioneve të mbetura gjatë Luftes së Dytë Botërore si në Pashaliman, Durrës, Tiranë etj.

Në fund të ceremonisë ministri i Mbrojtjes Arben Imami i dorëzoi Flamurin Kombëtar komandantit të kontigjentit kapiten Ilir Dhima dhe bëri një foto të përbashkët me efektivin e Kontigjentit të 5-të.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat