Topi në Shkup: Zbatoni “Ohrin”

Shqipëria

Topi në Shkup: Zbatoni “Ohrin”

Më: 14 prill 2010 Në ora: 16:43

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka nisur sot një vizitë zyrtare në Shkup, ku është pritur në një takim nga homologui i tij maqedonas, George Ivanov. Të dy presidentët, pas një takimi tek a tek, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u shprehën me nota optimiste për bashkëpunimin në rritje mes dy vendeve. Synimi kryesor sipas Ivanov dhe Topit për Shqipërinë dhe Maqedoninë mbetet integrimi i dy vendeve në BE. Ivanov shprehu dëshirën që edhe Maqedonia të integrohet së bashku me Shqipërinë në strukturat Euroatlantike të NATO-s. Gjatë kësaj vizite, Topi ka mbajtur edhe një fjalim në Parlamentin e Maqedonisë, duke iu drejtuar ligjvënësve mbi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së “Ohrit”. Kreu i shtetit shqiptar, tha se implementimi i saj, është elementi kyç për ruajtjen e stabilitetit, në një vend të ndikuar fort nga konfliktet etnike.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet shembull i kompromisit jo vetëm politik, por edhe i paqes ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Kjo kornizë e rëndësishme ligjore i ka paraparë të gjithë qytetarët e Maqedonisë të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës duke u garantuar shqiptarëve të drejtat e tyre, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe të përdorimit të saj, të përdorimit dhe respektimit të simboleve kombëtare, historike e kulturore, të përfaqësimit të drejtë të tyre në institucionet e Maqedonisë dhe një zhvillim harmonik ekonomik në zonat dhe rajonet ku ata jetojnë dhe punojnë në të mirë të familjeve dhe të vendit të tyre”, ka deklaruar Topi.Presidentit shqiptar, ka vënë në dukje gjithashtu se realizimi në kohë e me sukses i marrëveshjes kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në Maqedoni dhe institucioneve të saj. Në fjalën e tij para ligjvënësve të Maqedonisë, Topi përvecse në marrëdhëniet e shkëqyera mes dy vende u përqëndrua dhe në integrimin e këtyre dy vendeve. “Të bindur se vetëm ndërtimi i marrëdhënieve miqësore, të fqinjësisë dhe bashkëpunimit është në interes të popujve dhe shteteve tona, gjatë viteve të shkuara kemi investuar shumë për përparimin e tyre, duke arritur sot këtë nivel të lartë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Shqipërisë e Republikës së Maqedonisë”. Sipas Topit, politika e heqjes reciproke të vizave për qytetarët e dy vendeve ka shtuar bashkëpunimin në shumë aspekte. Presidenti vlerësoi gjithashtu se mirëbesimi mes popujve krijoi stadin që kufiri i përbashkët shqiptaro-maqedonas të kthehet në një kufi evropian, i sigurt dhe modern.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat