Hiri vullkanik prek fluturimet në Tiranë e Shkup

Shqipëria

Hiri vullkanik prek fluturimet në Tiranë e Shkup

Më: 16 prill 2010 Në ora: 21:51

Drejtuesit e aeroportit Nënë Tereza në Tiranë njoftuan se janë pezulluar përkohësisht fluturimet nga Tirana drejt Londrës dhe Budapestit.

Për pasojë ata që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, si edhe në rastet kur kalojnë tranzit përmes tyre, do të jenë të detyruar të presin njoftime të tjera.

Në Aeroportin e Shkupit ndërkohë disa kompani kanë anulluar fluturimet gjithashtu. Bëhet fjalë për linja në Evropën qendrore dhe perëndimore.

Siç njoftohet këto vendime i kanë marë kompanitë që fluturojnë për në Shkup, pas vendimeve që një pjesë e madhe e aeroporteve evropiane të mbyllen.

Por aeroporti i Shkupit do të vazhdojë funksionimin, pasi siç njoftohet do të operohet për linjat që shkojnë në Vjenë, Lubljanë, Zagreb apo Stamboll, në aeroportet e të cilave nuk ka ndalesa për fluturim.

Ndonëse nga aeroporti i Shkupit nuk bëhen shumë fluturime, sërish zyrtarët thonë se situata e krijuar në pjesën më të madhe të Evropës nga shpërthimi i vullkanit në Islandë, edhe pse pjesërisht, po prek edhe Maqedoninë.

Ndërprerje të gjera në Evropë

Mijëra fluturime në mbarë Evropën janë anulluar edhe sot, 24 orë pas një ndërprerje të pashoqe të trafikut ajror.

Pjesa më e madhe hapësirës ajrore në veri dhe perëndim të Evropës është mbyllur dhe autoritetet e trafikut ajror thonë se më shumë se 17.000 fluturime do të anullohen të premten.

Në përgjithësi, një pjesë e madhe e hapësirës nga Atlantiku në kufijtë rusë dhe nga Alpet në Detin Arktik mbeten të mbyllura.

Në gjithë kontinentin, më shumë se gjysma e të gjitha fluturimeve pritet të anullohen, megjithëse disa vende kanë patur mundësi të heqin disa kufizime.

Reja e hirit është krijuar pas shpërthimit të një vullkani që gjendej nën një akullnajë në jug të Islandës.

Më shumë se 800 njerëz janë evakuar të mërkurën nga shtëpitë e tyre në atë zonë, pasi u raportua se akullnaja po shkrinte.

Gjeologët në Islandë thonë se nuk ka shenja të uljes së aktivitetit vullkanik, dhe se mund të zgjasë për disa ditë megjithë se tani po prodhon më pak hi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat