PD - PS gati për bisedime

Shqipëria

PD - PS gati për bisedime

Më: 13 korrik 2010 Në ora: 20:22

Shkak janë bërë kundërshtimet mes palëve lidhur me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit të kaluar.

Opozita ka kërkuar transparencë nëpërmjet hapjes së kutive të votimit, por maxhoranca thotë se kjo kërkesë është e jashtëligjshme.

Kërkesa për t'i dhënë fund kësaj situate është bërë vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe është përsëritur se fundi edhe në një rezolutë të Parlamentit Europian.

Bisedimet midis demokratëve në maxhorancë dhe socialistëve në opozitë do të zhvillohen në nivelin e kryetarëve të grupeve parlamentare, përkatësisht, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.

Ende nuk janë bërë të njohura detajet mbi të cilat do të diskutohet, por sigurisht në vëmendje do të jetë gjetja e një formule për t'i dhënë fund krizës politike.

Deri tani formula më e përfolur e kompromisit ka qenë ajo e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, zgjidhja e mosmarrëveshjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe më tej konsultimi me Komisionin e Venecias.

Të gjitha këto pritet të shqyrtohen nga një komision parlamentar, ngritja e të cilit pritet të jetë pjesë e bisedimeve.

Këto zhvillime vijnë pasi pak ditë më parë Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa bëri thirrje për një zgjidhje të menjëhershme të krizës politike.

Nisur nga historia e marrëdhënieve të tensionuara midis maxhorancës dhe opozitës që nga zgjedhjet e 28 qershorit të kaluar, analistë të ndryshëm i shikojnë me dyshim këto zhvillime.

Sipas tyre më shumë se përpjekje serioze për të zgjidhur krizën, këto janë tentativa të të dyja palëve për të fajësuar dhe për të ngarkuar njëra-tjetrën me përgjegjësi për situatën e krijuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat