Dështon sërish miratimi i buxhetit të Tiranës

Shqipëria

Dështon sërish miratimi i buxhetit të Tiranës

Më: 14 korrik 2010 Në ora: 10:32

Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh dje për të vendosur për fatin e buxhetit, pasi qëndronte i bllokuar prej tetë muajsh. Debatet mes këshilltarëve socialistë dhe demokratë vazhduan edhe në këtë mbledhje, çka solli edhe dështimin e radhës.

Shkaku kryesor për nisjen e debateve ishte projekti për “Unazën e Madhe”. Nënkryetarja e bashkisë, Albana Dhimitri theksoi se projekti është gati, por është qeveria ajo që po pengon realizimin e tij duke mos kryer shpronësimet. Këshilltarët e djathtë e kundërshtuan projektin, duke i qëndruar idesë së “Unaza e Madhe” duhet të jetë jashtë qytetit.

Vetë kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj e cilësoi buxhetin e vitit 2010 si teorik dhe aspak real. Ai kërkoi një tabelë të plotë të taksave, si domosdoshmëri për miratimin e buxhetit.

Këshilltari demokrat, Ferdinand Poni deklaroi se duhet të merren parasysh disa ndryshime për përmirësimin e buxhetit të vitit 2010. Një nga këto propozime është deklarimi i fondeve të mbartura nga viti 2009. Sipas Ponit, këshilltarët e djathtë kërkojnë të dinë planin e shpenzimeve të bashkisë, dhe të bëhet pajisja me listat e taksave, gjë e padisponueshme deri më sot.

Mbledhja e djeshme Këshillit Bashkiak ishte edhe e fundit për këtë sesion.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat