PD e PS dakord për komision të ri hetimor

Shqipëria

PD e PS dakord për komision të ri hetimor

Më: 14 korrik 2010 Në ora: 17:49

Kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe PS, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, kanë rënë dakord për ngritjen e një komisioni të ri hetimor, parlamentar, për pretendimet e opozitës për parregullsi gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Palët kanë rënë dakord që komisioni të drejtohet nga opozita dhe shumica e tij të përbëhet nga përfaqësues të shumicës gjithashtu.

Por bashkëbiseduesit nuk kanë rënë ende dakord për objektin e hetimit. Aktualisht palët e shikojnë në mënyra të papajtueshme këtë çështje. Opozita mendon se duhet hetuar edhe përmbajtja e fletëve të votimit. Qeveria thotë se në këtë pikë nuk mund të kapërcehet ligji.

Kjo do të thotë se në fund të fundit palët ende mbeten në pozicionet ku respektivisht janë mbërthyer prej shumë muajsh.

Megjithatë vëzhguesit mendojne se tonet e ulura të deklaratave të ditëve të fundit, sidomos nga ana e qeverisë, shënojnë një zhvillim të ri në mjedisin politik konfliktual të Shqipërisë gjatë 12 muajve të fundit.

Bisedimet në Tiranë kanë nisur pak ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të nje rezolute të posaçme për Shqipërinë ku nxiten palët për kapërcimin e ngërçit politik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat