Bisedimet PD-PS, fletvotimet përsëri problem

Shqipëria

Bisedimet PD-PS, fletvotimet përsëri problem

Më: 15 korrik 2010 Në ora: 10:25

Në Shqipëri shumica dhe opozita u ulën të mërkurën në bisedime në përpjekje për të gjetur një kompromis lidhur me cështjen e hetimit të zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

Kryetarët e dy grupeve parlamentare Astrit Patozi i demokratëve dhe Gramoz Ruçi i socialistëve ranë dakort për ngritjen e një komisioni të ri, me shumicë dhe nën drejtimin e opozitës që të hetojë materialet zgjedhore, por mbetën sërish të ndara për fletët e votimit.

Palët do të takohen sërish me synim arritjen e një marrëveshjeje brenda korrikut. Po ashtu palët kanë rënë dakord që komisioni të drejtohet nga opozita dhe shumica e tij të përbëhet nga përfaqësues të shumicës gjithashtu.

Por bashkëbiseduesit nuk kanë rënë ende dakord për objektin e hetimit. Aktualisht palët e shikojnë në mënyra të papajtueshme këtë çështje. Opozita mendon se duhet hetuar edhe përmbajtja e fletëve të votimit.

Qeveria thotë se në këtë pikë nuk mund të kapërcehet ligji. Kjo do të thotë se në fund të fundit palët ende mbeten në pozicionet ku respektivisht janë mbërthyer prej shumë muajsh. Megjithatë vëzhguesit mendojne se tonet e ulura të deklaratave të ditëve të fundit, sidomos nga ana e qeverisë, shënojnë një zhvillim të ri në mjedisin politik konfliktual të Shqipërisë gjatë 12 muajve të fundit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat