Presidenti Topi viziton të plagosurit e aksidentit tragjik rrugor

Shqipëria

Presidenti Topi viziton të plagosurit e aksidentit tragjik rrugor

Më: 17 korrik 2010 Në ora: 21:19

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko dhe Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu vizitoi sot pasdite të plagosurit e shumtë si pasojë e aksidentit tragjik rrugor të një autobusi të linjës Durrës-Fushë Arrëz që u rrëzua në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz duke përfunduar në greminë dhe më pas në Lumin Fan i Madh. Këta plagosur të transportuar me helikopterët e ushtrisë kurohen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, nga ku Presidenti bëri thirrje për të ruajtuar qetësinë, duke siguruar që të gjitha strukturat e shtetit janë ngritur në këmbë dhe po punojnë për administrimin dhe stabilizimin e kësaj situate të rëndë ku humbën jetën deri tani 12 vetë dhe u plagosën me dhjetëra pasagjerë të tjerë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat Kryetari i Shtetit, pasi vizitoi dhe u interesua për gjendjen e të plagosurve, sidomos fëmijët e lënduar, vlerësoi lart dhe shprehu mirënjohjen për profesionalizmin dhe punën e palodhur të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, efektivave të policisë dhe ushtrisë si dhe të stafit mjekësor që po përkujdeset për të plagosurit, theksoi: “Natyrisht sikurse të gjithë, ndihem shumë i lënduar për këtë aksident që mori përmasa tragjike. Me këtë rast dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjitha familjet që patën viktima duke u thënë që jam pranë tyre në këto moment të vështira! Sigurisht uroj që të gjithë të plagosurit të dalin nga gjendja kritike! E rëndësishme është të thuhet që ka patur dhe ka një organizim të shkëlqyer nga të gjitha strukturat dhe një solidaritet njerëzor që në të tilla raste, kuptohet që është i shprehur qartë”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat