Situatë e qetë në Himarë normalizohet qarkullimi

Shqipëria

Situatë e qetë në Himarë normalizohet qarkullimi

Më: 14 gusht 2010 Në ora: 12:46

Pas reagimeve të ashpra të banorëve të Himarës kundër vrasjes së 35 vjeçarit, dita e sotme është gdhirë e qetë. Qarkullimi i automjeteve vijon normalisht prej orës 24:00 të mbrëmjes kur banorët bllokuan aksin nacional duke mbushur rrugën me qirinj në kujtim të të riut.

Banorët nuk kanë paralajmëruar për bllokime të tjera të aksit.

Vrasja në Himarëbanorët bllokojnë sërish rrugën

Ora: 7:01- Banorët e Himarës kanë vijuar reagimet e tyre të ashpra kundër vrasjes së 35 vjeçarit, edhe mbrëmjen e djeshme duke bllokuar sërish aksin nacional Vlorë-Sarandë. Rruga në hyrje të Himarës u bllokua sërish rreth orës 22:00, ndërsa banorët mbushën rrugën me qirinj në nder të të riut të vrarë një natë më parë. Rruga ka qëndruar e bllokuar deri rreth mesnatës ndërsa sot qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 21:00 të ditës së premte në vendin e quajtur “Avli” në aksin që lidh qytetin e Himarës me Himarë-Fshat.

Para vrasjes, të rinjtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku sipas burimeve, të rinjve nuk u ka pëlqyer e folura në gjuhë greke nga drejtuesi i motorit. Pikërisht, në këtë vend, motoçikleta e cila drejtohej nga 35-vjeçarit Aristotel Guma është goditur nga një “Audi-A3” ngjyrë gri, që më vonë u mësua se drejtohej nga Ilir Muka nga Vlora. Sipas policisë, “në momentin e aksidentit, Muka ka qenë me dy shokë të tij”, ndërsa më pas, “u është telefonuar 4 shokëve të tjerë, të cilët e kanë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i krimit”. Nga përplasja, fillimisht, motoçikleta ka goditur një shtyllë dhe më pas, është përplasur dhjetëra metra zvarrë në rrugë. Për pasojë,(edhe pse e nisën drejt spitalit), Guma ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Duke denuar “aksidentin të qëllimshëm”, me parulla në duar ku shkruhej “Të zbardhet e vërteta”, “Është vrasje e qëllimshme”, banorët e Himarës ngritën barrikadë gurësh në rrugë nje ore pas ngjarjes, duke mos lejuar lëvizjen e asnjë mjeti. Gjatë gjithë natës, banorët kanë qëndruar pranë barrikadave, në pritje të reagimit të organeve shtetërore lidhur me ngjarjen. Vetëm mesditën e së premtes, me ndërhyrjen e policisë, u mundësua zhbllokimi i rrugës nacionale.

Disa orë pas krimit, policia e Vlorës shoqëroi dhe më pas arrestoi 7 personat e akuzuar për këtë ngjarje, duke shpallur në kërkim Ilir Mukën, drejtuesin e automjetit që shkaktoi vrasjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma. Sipas policisë, “Muka akuzohet për aksidentin me pasojë vdekjen”, ndërsa të arrestuarit e tjerë për “bashkëpunim në krim e dhënie ndihme për largim të autorit”. (bw)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat