Berisha uron fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në ditën e parë të vitit të ri shkollor

Shqipëria

Berisha uron fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në ditën e parë të vitit të ri shkollor

Më: 6 shtator 2010 Në ora: 16:20

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, në përurimin e shkollës 9- vjeçare “Pal Zefi” në fshatin Rrushkull, Bashkia Sukth.

Me këtë rast, Kryeministri Berisha uroi të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që sot ulen në bankat e shkollave, një vit të mbarë dhe të suksesshëm në rrugën e dijes.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se arsimimi është çështja më serioze e kësaj qeverie dhe se do të bëhet çdo investim dhe çdo përpjekje në mënyrë që shqiptarët të shkollohen në shkollat më moderne dhe të kenë sistemin arsimor më të zhvilluar në rajon dhe më gjerë.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se ky vit në historinë e arsimit shqiptar shënon tre arritje të mëdha, që lidhen, së pari me klasifikimin e Shqipërisë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si vendi me shkallën më të lartë të përdorimit të internetit në shkollat e saj, si vendi që la pas disa vende, ndër më të zhvilluarat, në Evropë; së dyti, këtë vit, në bankat e shkollave të mesme të Shqipërisë ulen 91 përqind e të gjithë nxënësve që kanë mbaruar klasën e 9-të; së treti, këtë vit, në dyert e universiteteve të vendit do të hyjnë 70 përqind e maturantëve shqiptarë, shifër kjo e barabartë me vendet më të zhvilluara të Evropës dhe të botës.

Duke vizituar klasat e parashkollorëve në shkollën “Pal Zefi”, Kryeministri Berisha u shpreh se “ne do të bëjmë që çdo shkollë të ketë edhe kopsht. Një nga zhvillimet më pozitive të arsimit këto vitet e fundit është se po rritet me shpejtësi numri i fëmijëve në kopshte. Këtë vit 64 përqind e grupmoshave nga 3-6 vjeç janë në kopsht. Ne do të synojmë që kjo ngjitje të arrijë shifrat më të larta të mundshme, në mënyrë që arsimi parashkollor të shndërrohet në një element thelbësor të sistemit arsimor në vend”.

Shkolla 9 - vjeçare “Pal Zefi”, një investim me vlerë 53 milionë lekë, është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me kabinete informatike, si dhe të gjithë laboratorët e kabinetet e nevojshëm për zhvillimin e një mësimdhënie më moderne.

Në këtë ceremoni Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ministri i Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, deputetë, drejtues të pushtetit vendor, etj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat