“Gazprom” kërkon naftë dhe gaz afër liqenit të Shkodrës

Shqipëria

“Gazprom” kërkon naftë dhe gaz afër liqenit të Shkodrës

Më: 17 shtator 2010 Në ora: 08:55

Pas kërkimeve të shumta dhe intensive, drejtuesit e kompanisë ruse kanë dalë në përfundimin se në zonën Crmnica të Malit të Zi, pranë liqenit të Shkodrës ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Pas këtij zbulimi, kompania është e interesuar të marrë pjesë në procedurën e koncesionit, që pritet të hapet në tetor nga qeveria e Malit të Zi. Dy janë zonat ku konstatohen burime të sigurta nafte dhe gazi: në veri të Malit të Zi, në kufi me Bosnjën dhe pjesën e jugut dhe pranë liqenit të Shkodrës, në kufi me Shqipërinë. Ekspertët e “Gazprom” disponojnë prova dhe kanë arsye të mendojnë se ka pasuri të mëdha nafte edhe në disa zona brenda kufijve me Shqipërinë dhe Bosnjën, duke paralajmëruar një shtrirje të punimeve brenda kufijve të këtyre vendeve, pasi të nisin operacionet në dy pikat e identifikuara.

Agjenci të ndryshme lajmesh u referohen disa burimeve pranë kompanisë ruse, sipas të cilëve ka nisur eksplorimi në pjesën e Shqipërisë, pa specifikuar qartë vendndodhjen, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë do të nisë së shpejti. Për Bosnjën rusët vlerësojnë se 4 burimet e naftës kanë një vlerë monetare tepër të lartë, rreth 27 miliardë dollarë dhe mendohet se e njëjta vlerë do të zbulohet edhe në Mal të Zi, në zonën afër liqenit të Shkodrës, transmeton TCH.

Sakaq, ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Branko Vujoviç, deklaron se në muajin tetor do të shpallet tenderi për ofertat e koncesionit në kërkimin e naftës dhe gazit në këto zona. “Interesi i deritanishëm vjen nga dy kompani ruse, por ne besojmë se do të rritet, pasi dy zonat ofrojnë mundësi të mëdha përfitimi”, tha ministri për agjencinë “Analitika”, ndërsa lajmi konfirmohet edhe nga agjencia tjetër, “Energetika”.

Sipas ligjit malazez të koncesioneve, kontratat lidhen për periudha 30-vjeçare, ndërsa për kërkimet jepen leje 7-vjeçare, kurse për prodhim 20 vjet. Të dhënat zyrtare të paraqitura në Strategjinë për Zhvillimin Energjetik vlerësojnë se Mali i Zi ka rezerva nafte që vlerësohen deri në 7 miliardë fuçi, kurse gazi natyral vlerësohet në 425 miliardë metër kub.

Prania e “Gazprom” në Shqipëri ka intriguar ekspertët e ekonomisë dhe politikën në tërësi, ndërsa për vite me radhë, sidomos në tre të fundit, zërat për projekte të mundshme janë intensifikuar. Takimin e parë rusët e zhvilluan tre vjet më parë në Tiranë, në kuadër të një delegacioni biznesesh të Dhomave të Tregtisë, por asgjë më shumë, duke u mjaftuar të mësonin mbi situatën ekonomike në vend. Prania e rusëve gati sa nuk u konkretizua me ndërtimin e një parku energjetik në Korçë nga një kompani greke, ku “Gazprom” zotëron 50 për qind të aksioneve. Ky projekt i firmosur nga qeveria shqiptare ka mbetur ende në letër.

Vetë Kryeministri Berisha ka pranuar se ka një interes nga “Gazprom” për ndërtim tubacionesh gazi, por kompania nuk e konfirmon një plan të tillë. Sa i takon liqenit të Shkodrës, ka pasur tentativa të ndryshme për ndërtim parqesh energjetike dhe impiante nafte, por asgjë më shumë, ndërsa një plan për central nuklear u hodh poshtë pas protestave të banorëve të zonës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat