Berisha: Nesër PE voton heqjen e vizave për shqiptarët

Shqipëria

Berisha: Nesër PE voton heqjen e vizave për shqiptarët

Më: 6 tetor 2010 Në ora: 14:45

Kryeministri Sali Berisha njoftoi sot në mbledhjen e qeverisë se nesër (7 Tetor) do të jetë një ditë e rëndësishme për gjithë shqiptarët pasi Parlamenti Europian pritet të votojë rezolutën për liberalizimin e vizave për Shqipërinë.

“Nesër me një votë historike PE do të votojë për heqjen e vizave. Për cdo kohë kjo përbën një arritje madhore historike”.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha u shpreh se për çdo komb, heqja e vizave shënon arritje madhore historike, por për shqiptarët përbën një arritje të jashtëzakonshme.

Më tej Berisha theksoi se vota e nesërme do të jetë një përgjegjësi e madhe për qeverinë shqiptare, pasi kërkesat e udhërrëfyesit do të jenë një program i vazhdueshëm për qeverinë.

“ Vota e nesërme do të jetë përgjegjësi e madhe për ne, në mënyrë që të gjitha agjencitë tona, udhërrëfyesit dhe kërkesat e udhërrëfyesit të jenë një program i vazhdueshëm për ne”.

Kreu i qeverisë siguroi se Franca nuk do të votojë kundër kësaj nisme, por thjesht do të kërkojë garanci nga shqiptarët se do zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e BE.

“Ashtu sic e thashë edhe në grupin parlamentar dhe sot se qeveria franceze nuk kundërshton procesin, por kërkon garanci me shumë të drejtë dhe garancitë që kërkon qeveria franceze është që qeveria shqiptare të zbatojë disa detyra. Dhe ne zotohemi se lufta kundër korrupsionit, kundër kriminalitetit dhe korrupsionit do të njohë dimensione të reja”.

Berisha theksoi se hejqa e vizave do te jete njekohesisht dhe heqje e brengave per familjaret qe kane te afermit larg.

"Shqiptarët ishin të vetmit që pas rënies së perdes së hekurt vërshuan në një eksod biblik, duke bërë kështu që rreth 25 për qind e kombit të ndërtojë jetën në emigracion. Heqja e vizave i jep mundësi të madhe qetësimit të brengave familjare dhe në rrafshin njerëzor, kjo është arritja më e madhe për familjet shqiptare", tha Berisha. Në rrafsh individual, Kryeministri e vlerësoi vendimin si ridimensionimi më i madh në histori i lirisë së lëvizjes së qytetarëve shqiptarë, një potencial i madh në të gjitha aspektet.

Duke u ndalur në fushatën e nisur për sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë për këtë proces, Berisha kërkoi që ajo të intesifikohet dhe të shpërndahen fletëpalosje informuese në çdo institucion arsimor në vend.

"Krahas spoteve televizive që po bëhen në të gjitha mediat lokale, duhet të shfrytëzohen të gjitha grumbullimet në stadiume apo aktivitete të tjera rinore, në mënyrë që të rinjve t'u dorëzohet fletëpalosja që i informon për të gjitha të drejtat që rrjedhin nga ky proces historik", tha Berisha.

Pas votës së nesërme të Parlamentit Europian, Kryeministri Berisha uroi që në muajin nëntor të merret vendimi përfundimtar nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm duke realizuar kështu një ëndërr të kombit shqiptar për heqjen e vizave

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat