Berisha: Garanci për respektimin e kushteve pas heqjes së vizave

Shqipëria

Berisha: Garanci për respektimin e kushteve pas heqjes së vizave

Më: 7 tetor 2010 Në ora: 08:58

Vota pro lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen, e cila pritet të jepet sot nga Parlamenti Europian, është një përgjegjësi e madhe për qeverinë shqiptare në përmbushje të vazhdueshme të kërkesave në këtë kuadër. Kështu e ka cilësuar Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë hapjen e dritës jeshile vetëm një ditë më parë se PE të vendosë për Shqipërinë. Duke shprehur garancinë se edhe Franca do të jetë një ndër shtetet që do të mbështesë lëvizjen e lirë të shqiptarëve ditën e sotme në PE, Berisha theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë plotësimin e kritereve të udhërëfyesit edhe pas liberalizimit të vizave. "Vota e nesërme është gjithashtu një përgjegjësi e madhe për ne, në mënyrë që të gjitha agjencitë tona të mbeten totalisht të angazhuara, që udhërrëfyesi dhe kërkesat e tij për heqjen e vizave të jenë një program i vazhdueshëm pune. Siç e theksova në mbledhjen e grupit parlamentar, e theksoj edhe sot, këtu, se qeveria franceze nuk kundërshton absolutisht procesin, por kërkon me shumë të drejtë garanci dhe garancia që kërkon qeveria franceze dhe qeveri partnere është që qeveria dhe autoritetet shqiptare udhërrëfyesin e kanë një program të vazhdueshëm pune", u shpreh Berisha. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë i kërkoi ministrive dhe agjencive përkatëse që lufta kundër kriminalitetit, lufta kundër korrupsionit të njohin dimensione të reja. "Në këtë drejtim, të gjitha kërkesat, sipas ministrive dhe agjencive, duhet të jenë në shqyrtim dinamik të vazhdueshëm, risqet dhe analiza e tyre, masat e përcaktuara për to, si dhe lufta kundër kriminalitetit, lufta kundër korrupsionit duhet të njohin dimensione të reja. Është në detyrimin tonë para çdo qytetari shqiptar që, për të realizuar heqjen e vizave, jemi të gatshëm të marrim çdo vendim, të bëjmë çdo investim, të vendosim dhe konsolidojmë çdo praktikë të domosdoshme", theksoi Berisha.Votimi i sotëm nga Parlamenti Europian për t'i ndezur dritën jeshile lëvizjes së lirë së shqiptarëve në hapësirën Shengen për Kryeministrin Berisha do të shënojë një moment historik për shqiptarët. "Nesër, me një votë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, Parlamenti Europian do të votojë për heqjen e vizave. Për çdo komb, kjo përbën një arritje madhore historike, për shqiptarët, të cilët qenë të vetmit që, pas rënies së perdes së hekurt, vërshuan në eksode biblike, duke bërë kështu që rreth 25 përqind e kombit të kërkojë të ndërtojë jetën, nëpërmjet punës, në emigracion, kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme, pasi i jep mundësi të madhe qetësimit të brengave familjare, vizitën për çdo rast e hall. Faktikisht, në rrafshin njerëzor, kjo është arritja më e madhe për familjet shqiptare dhe për shqiptarët. Por në rrafshin individual, kjo është ridimensionimi më i madh në histori, i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë, është dinjitet, është potencial i madh në të gjitha aspektet", nënvizoi Berisha. Pas votimit nga Parlamenti Europian, një muaj më pas pritet dhe votimi i fundit në Këshillin e Ministrave të Brendshëm, që parashikohet më 8 nëntor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat