Vizat, Parlamenti Evropian voton sot raportin e Fajon

Shqipëria

Vizat, Parlamenti Evropian voton sot raportin e Fajon

Më: 7 tetor 2010 Në ora: 09:02

Parlamenti Evropian voton sot raportin e paraqitur nga europarlamemtarja Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Raporti thekson se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina i kanë përmbushur tre kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe se ato do të vazhdojnë të monitorohen për pjesën e mbetur të përpjekjeve që duhet të bëjnë. Sipas dokumentit, Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e kushteve kryesore për heqjen e regjimit të vizave, por vendi duhet të vazhdojë përpjekjet në luftën ndaj korrupsionit, integrimin e të riatdhesuarve si dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.

Një shumicë të konsiderueshme e eurdeputetëve priten të jenë në favor të propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Megjithatë në debatin e zhvilluar mbrëmë në PE nuk munguan mendimet kundër të eurodeputetëve. Dy deputetë, një holandez dhe një tjetër belg, kanë ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që sipas tyre ekziston në të dyja vendet.

Raporti ka marrë tashmë “viston” e Komisionit të Çështjeve të Brendshme dhe Drejtësisë si dhe Komisionit të Jashtëm të PE-së.

Pas votimit në PE Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian duhet të miratojë me dy të tretat e anëtareve liberalizimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Nëse rezoluta e Fajon miratohet edhe nga Ministrat e Brendshëm të BE-së, në fillim të nëntorit, ajo do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, me gjasë para Krishtlindjeve 2010.

Raporti dhe rezoluta e Fajon, nëse miratohen, do të hapin dritën jeshile për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës, në mënyrë që ata të lëvizin lirisht në vendet e Bashkimit Evropian, por jo të qëndrojnë atje në mënyrë të përhershme apo për punësim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat